Mbyllet në barazim 1-1 derbi i kryeqytetit. Ernest kalon në avantazh Tiranën në pjesën e parë, por Sembene barazon shifrat në minutën e fundit të kohës së rregullt. Shumë tension dhe shumë kartonë të kuq në fund të sfidës, që mbyllet pa fitues.
Ndeshja ka qenë e luftuar, me Partizanin që është shfaqur më kërkues në minutat e para. Por, rrugën e rrjetës e gjen Tirana, që në mundësinë e parë ndëshkon “të kuqtë” me Ernest, që realizon një gol shumë të bukur. Me rezultatin 0-1 për bardheblutë mbyllet pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë të lojës, Partizani sulmon në kërkim të golit të barazimit, por Tirana administron avantazhin dhe mundohet që të godasë në kundërsulm. Atëherë kur dukej se Tirana do të merrte fitoren që mungonte prej 9 ndeshjesh derbi, është Sembene që shënon golin e barazimit për Partizanin.
Ka tension dhe përplasje mes lojtarëve në fushë pas shënimit të golit. Gjyqtari Hamiti ndëshkon me kartonë të kuq Taipi, Bytyçin dhe Gudjufin nga Partizani dhe Gjumsin, Markun, Micin, Kozin dhe drejtorin Ibrahimi nga Tirana.
Mbyllet 1-1 derbi. Partizani ngjitet në kuotën e 40 pikëve, ndërsa Tirana në kuotën e 23 pikëve.