RTSH Sport Live

“Me ujin, zjarrin e xhudon e Kosovës nuk ka lojë”

  • 29/07/2021
  • |
  • Tokio 2020
“Me ujin, zjarrin e xhudon e Kosovës nuk ka lojë”
Driton Kuka thurr elozhe për sportistët që garuan ne Tokio 2020

Trajneri i ekipit të xhudos së Kosovës, Driton Kuka, ende nuk mund ta besojë se pesë xhudistë kosovarë do të kthehen nga Tokio 2020 me dy medalje të arta.

Ekipi i xhudos, i përbërë nga pesë garues, e shkroi historinë në Lojërat Olimpike 2020, pasi i fitoi dy medalje të arta, duke e çuar në tre numrin e përgjithshëm të medaljeve të arta nga vetëm dy pjesëmarrje olimpike. Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë në kategorinë 48 kilogramë në fundjavë, e cila ishte e para për Kosovën në Tokio dhe e para për të në karrierë. Pak ditë më vonë, Nora Gjakova e përsëriti suksesin e saj duke e fituar medaljen e artë në kategorinë 57 kilogramë. Krasniqi dhe Gjakova i ndoqën hapat e atletes më të madhe kosovare dhe frymëzueses së tyre, Majlinda Kelmendit, e cila e kishte fituar medaljen e artë në Olimpiadën Rio 2016.

“Samurajtë shqiptarë… Medaljet Olimpike për popullin shqiptar së shpejti do zbarkojnë në trojet shqiptare. Xhudistët e ekipit tonë i përfunduan garat në Lojëra Olimpike! Dy medalje të arta! Ende po më duket si ëndërr e mire, 5 garues e dy të arta! Medaljet janë të krejt ekipit me protagoniste Disin e Noren! Ashtu siç ishte e arta e Majlindes. Ekipi im e që stërvisim, gëzohem e qajme së bashku në fitore e humbje, aty qëndron forca jonë e madhe!” ka shkruar trajneri  Kuka ne mediat sociale . 2 Olimpiada 3 Medalje të Arta! Me dhjetra medalje Europiane e Botërore! Këta jemi ne! I gëzofshim medaljet të gjithë ne, shqiptarët kudo që jemi! Jam mirënjohës miq për aq shumë mesazhe e urime prej dhjetra e mijëra miqve. Ata që kanë menduar që medalja e artë e Majlindës është e para dhe e fundit, jeni mashtruar në llogari! Me ujë, zjarr e xhudon e Kosovës ska lojë! Kosova mbi të gjithë”.Ekipi i xhudos, i udhëhequr nga trajneri Driton Kuka, pritet të kthehet në Kosovë të hënën.