RTSH Sport Live

“Merkato e bllokuar”, reagon Vllaznia: Nuk është e vërtetë

  • 23/04/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
“Merkato e bllokuar”, reagon Vllaznia: Nuk është e vërtetë

Ditën e sotme në median e shkruar ka qarkulluar lajmi se 3 klube të Superiores kanë merkato të bllokuar nga FIFA për shkak të problemeve financiare, pasi nuk kanë shlyer detyrimet ndaj lojtarëve (sipas gjyqeve të humbura). Tirana, Dinamo dhe Vllaznia janë 3 klubet e përmendura, por menjëherë ka reaguar klubi shkodran që përmes një njoftimi në faqen zyrtare, deklaron se nuk e ka të bllokuar merkaton.

“Klubi i Futbollit Vllaznia është informuar sot në lidhje me disa lajme të përhapura në disa media për bllokimin e merkatos të saj.

KF Vllaznia sqaron opinonin publik me përgjegjësi të plotë se nuk ka asnjë çështje të asnjë lojtari që është apo ka qenë në marrëdhënie kontraktuale si dhe nuk ka asnjë vendim në fuqi të organeve të drejtësisë sportive që imponojnë bllokimin e merkatos së KF Vllaznia.

Këtë gjë e tregon më së miri edhe fotoja bashkëngjitur që tregon sistemin e transferimit të futbollistëve ku nuk ka asnjë penalitet për KF Vllaznia.

Duke qenë të ndërgjegjshëm se lufta për arritjen e objektivave sportive nuk zhvillohet vetëm në fushën e blertë, garantojmë sportdashësit tonë të zjarrtë kudo ku ndodhen se me përkushtim dhe profesionalizëm jemi të vendosur të përballemi me dinjitet ndaj çdo sfide!”, shkruhet në njoftimin e klubit kuqeblu.