RTSH Sport Live

“Nata e Kampionëve” në RTSH

  • 25/07/2023
  • |
  • Sporte të tjera
“Nata e Kampionëve” në RTSH
Shqiptarët Bakaj, Qamili dhe Hadribeaj synojnë titullin WBC

“Nata e Kampionëve” do të përcjellë emocione të paharrueshme për të gjithë të apasionuarit e boksit shqiptar. Në arenën e instaluar në sheshin “Nënë Tereza” tre boksierët shqiptarë, Amarildo Bakaj, Muhamet Qamili dhe Ermal Hadribeaj do të synojnë të fitojnë tre titujt më të mëdhenj të Federatës së Boksit profesionist, WBC World Young, WBC International dhe WBC International Silver.

Amarildo Bakaj: “Jam shumë i lumtur që po jetoj ëndrrën time, kam luftuar shumë për këtë ditë. Shpresoj që titulli të bëhet i imi dhe të hapen shumë dyer në karrierën time”.

Ermal Hadribeaj: “Dua tu tregoj të gjithë shqiptarëve sakrificat dhe punën e fortë që unë kam bërë. Dua tu them të gjithëve se nuk do të ndalem këtu, do të vazhdoj akoma më tej, në nivele të larta botërore”.

Muhamet Qamili: “Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme, kam pesë muaj që po përgatitem, jamë stërvitur në Angli me kampionë bote, tani po presim vetëm ditën e ndeshjes”.

Por edhe kundërshtarët e tyre, Nsasi nga Kongo RDC dhe Calea nga Italia, tepër të sigurtë shprehen se kanë ardhur në Shqipëri për të fituar titullin.

Nsasi: “Eshtë hera e parë që vij në Shqipëri, por kam ardhur për të fituar”.

Callea: “Jam përgatitur shumë për këtë ndeshje ndaj dua ta fitoj atë”.

Në “Natën e Kampionëve” do të zhvillohen 8 ndeshje, duke vënë përballë njëri-tjetrit 16 boksierë, 7 prej të cilëve janë shqiptarë dhe 9 të huaj. Kjo veprimtari do të sillet për teleshikuesit drejtpërdrejt nga rrjeti i Radio Televizionit Shqiptar.