Tokio i ka dhënë fund olimpiadës së vet, por një tjetër kryeqytet, këtë radhë në Evropë, bëhet gati për të Lojërat e ardhshme Olimpike. Eshtë Parisi, i cili do të presë Olimpiadën verore të vitit 2024. Shefi i kësaj olimpiade, Tony Estanguet tha për AFP, se Lojërat Verore të vitit 2024 do të jenë "spektakolare", por pranon se koronavirusi dhe çështjet mjedisore mund të jenë ende një problem.
Megjithatë ai përgatitet të marrë stafetën nga Tokio. Estanguet, fitues i tri medaljeve të arta në olimpiadë në sportin e kanoes, tha se organizatorët e Lojërave të Tokios kishin treguar një "aftësi për t'u përshtatur me situatën" dhe ky ishte një mësim i mirë për ekipin e tij për t’u përshtatur deri në 2024. "Ne ende nuk e dimë në çfarë konteksti do të organizohen Lojërat," tha ai.
"Ne jemi pak a shumë të sigurt se do të përballemi me vështirësi, të lidhura me çështjet e klimës ose shëndetit, dhe kur të vijë koha ne duhet të jemi në gjendje të marrim vendime. E dimë që do të duhet të mësohemi të jetojmë me Covid por duhet të shpresojmë që gjendja shëndetësore të përmirësohet deri në vitin 2024," - shtoi ai.
Kur Olimpiada të kthehet në Paris, një shekull pasi u mbajtën për herë të fundit atje, ata do të tërhiqen shumë nga atraksionet që e bëjnë kryeqytetin francez një nga më të vizituar në botë. Presidenti francez Emmanuel Macron zbuloi në fillim të Lojërave të Tokios se dëshironin që ceremonia e hapjes të zhvillohej në lumin Seine, volejbolli i plazhit në Trocadero, përballë Kullës Eifel, ndërsa garat me kuaj në Chateau de Versailles, garat e atletikës do të bëhen në Stade de France.
"Ne duam ta bëjmë ceremoninë jashtë stadiumit, në zemër të Parisit," tha Estanguet. "E deri në fund të këtij viti të kemi përcaktuar nëse kjo ide është e realizueshme apo jo. Ne jemi në gjendje të përshpejtojmë dhe ta organizojmë këtë olimpiadë maratonë me shpejtësinë e garës së 100 metrave. Ne kemi kapacitetet e nevojshme për të organizuar një olimpiadë spektakolare” – ka thënë Estanguet.
Tashmë pritet që kryetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, të sjellë flamurin olimpik, të dorëzuar nga guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike. Paris 2024 po vjen dhe të gjithë shpresojnë që kjo olimpiadë të bëhet pa maska dhe pa 80,000 teste ditore për covid-19.