RTSH Sport Live

 “Paris 2024”, vijojnë përgatitjet

  • 04/12/2023
  • |
  • Sporte të tjera
 “Paris 2024”, vijojnë përgatitjet
Presidenti i IOC, Thomas Bach viziton fshatin olimpik

Vazhdon puna për ndërtimin e fshatit olimpik, që do të presë sportistët pjesëmarrës në Olimpiadën Paris 2024. Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) Thomas Bach ka ndjekur punimet dhe ka mbetur i kënaqur me ecurinë e deritanishme. Fshati olimpik po ndërtohet në Saint-Denis, në veri të Parisit. Presidenti Bach dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të IOC, qëndrua katër ditë në Paris dhe kryen disa takime me drejtuesit e komitetit organizativ të lojërave, takime këto që u kryen në selinë e këtij Komiteti.

"Është gjithmonë një moment i mrekullueshëm të jesh në një fshat olimpik, sepse sapo të mbarojnë Lojërat, sportistët do të flasin për fshatin dhe mbresat e tyre për ditët që kanë kaluar aty" - u tha Bach gazetarëve. "Këtu do të jetë zemra e Lojërave Olimpike dhe sportistët do të kenë kushte të shkëlqyera" - tha Bach.

Ndërsa Tony Estanguet, kreu i komitetit organizativ të Paris 2024 u shpreh: "Fshati i sportistëve është duke u finalizuar. Siç ishte planifikuar, do të dorëzohet në fillim të marsit, kështu që komiteti organizativ do të jetë në gjendje ta përgatisë atë plotësisht përpara mbërritjes së sportistëve në 15 korrik”.

Lojërat Olimpike do të zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht 2024. Fshati olimpik do të jetë si një lagje me 2800 apartamente, me 25% të tyre në shitje dhe pjesa tjetër do të jenë banesa sociale dhe apartamente me qera, në përfundim të olimpiadës.