RTSH Sport Live

“Red Bull”-i bën ligjin në Arabinë Saudite

  • 19/03/2023
  • |
  • Formula 1
“Red Bull”-i bën ligjin në Arabinë Saudite
Mbizotëron dyshja e “Red Bull”-it, gjithçka erdhi drejtpërdrejt në Rrjetin e RTSH-së

Mbizotërimi i “Red Bull”-it në këtë nisje të sezonit të ri të Botërorit të këtij viti në Formula 1 vijoi edhe në garën e dytë, atë të Çmimit të Madh të Arabisë Saudite, pasi skuadra siguroi sërish dy vendet e para, me ndryshimin e vetëm se, këtë radhë, shkallën e sipërme të podiumit e mori Serxhio Perez, i ndjekur nga Maks Verstapeni. Siç ndodhi edhe në garën e parë, ishte një tjetër mbrëmje zhgënjyese për “Ferrari”-n, pilotët e të cilit, Karlos Sainz dhe Sharl Lëklerk e mbyllën përkatësisht në vendin e 6-të dhe të 7-të. 7-herë “kampioni i botës”, Ljuis Hemilton, e mbylli në vendin e 5-të, pas shokut të tij të skuadrës se “Mercedes”-it, Xhorxh Rasëll.

Që nga nisja, Fernando Alonso mori kryesimin e garës, por u ndëshkua menjëherë për procedura të gabuara në start dhe Perezi nuk vonoi të rifitonte vendin e parë, para se veterani spanjoll të kryente ndëshkimin prej 5 sekondash. Në fakt, Alonso po kërkonte fitoren e parë që nga viti 2012, por u detyrua të kënaqej me podiumin e tij të 100-të në karrierë, ndërsa kampioni në fuqi i botës, Verstapen, marshoi nga vendi i 15-të, sikundër bëri edhe Sharl Lëklerk me “Ferrari”-n e tij.

Dhe Verstapenit iu desh thuajse gjysma e garës që t’i parakalonte të gjithë, përveç shokut të tij të skuadrës, që nuk e lëshoi vendin e parë, ashtu sikundër bëri edhe Alonso, që la prapa Rasëllin dhe Hemiltonin. Sikundër i gjithë ky edicioni i Botërorit 2023 të Formulës 1. Edhe emocionet e kësaj gare erdhën drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, ndërsa gara e radhës është ajo e mëngjesit të 2 prill 2023 në Australinë e largët.

Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe teksti