RTSH Sport Live

“Rinia e dytë” e Gerhard Prognit në Kosovë

  • 14/12/2021
  • |
  • Kosova
“Rinia e dytë” e Gerhard Prognit në Kosovë
 Tropojani 36-vjeçar, shënuesi më i mirë pas 19 javësh, vendimtar në marshimin e Gjilanit

Ai mund të jetë 36 vjeç, por Gerhard Progni po kalon një nga sezonet më të mira të karrierës së tij. Futbollisti i lindur në Tropojë, i cili ka nisur në 2003-ën tek moshat e Partizanit, për të vijuar më pas tek të rriturit, tek Besa, Dinamo, Flamurtari, Kukësi, Skënderbeu, për të provuar edhe për pak muaj përvojën edhe jashtë Shqipërisë, në Azerbajxhan, por për t’u kthyer tek Teuta dhe Partizani, përpara se të stabilizohej në qershor të 2019-ës tek Gjilani në Kosovë

. Aty ku ai është konsoliduar si titullar dhe, madje edhe si kapiten, dhe duke shpërthyer sidomos këtë sezon, teksa vendi i parë i Gjilanit pas 18 javësh të Superligës së Kosovës në futboll lidhet direkt me Gerhard Prognin. Futbollisti nga Shqipëria është golashënuesi më i mirë në pjesën e parë të kampionatit me 12 gola, dy më shumë sesa ndjekësi më i afërt, Kreshnik Uka i Drenicës.

E veçanta e Prognit, i cili mban edhe shiritin e kapitenit te Gjilani, është se po luan mesfushor krahu me tipare sulmuese dhe po shquhet për rendimentin e lartë. Nga 34 pikët e Gjilanit, 16 janë siguruar falë golave që ka realizuar Progni, pra gati gjysma e pikëve kanë ardhur nga golat e tij. Përveç kësaj, ai ka edhe një statistike tjetër interesante, teksa ka arritur t’u shënojë të 9 ekipeve të Superligës.

Dy gola në një ndeshje i ka shënuar vetëm kundër Drenicës, kurse në ndeshjet ndaj ekipeve të tjera ka realizuar nga një gol. Pesë gola i ka nga pika e bardhë e 11-metërshit, një me kokë, dy nga gjuajtjet e lira, tri nga larg dhe një me goditje brenda zonës. Po kështu, interesant është edhe fakti se, kundër Malishevës, Progni ka shënuar një gol në kohën shtesë të pjesës së parë, në takimin e vlefshëm për javën e 17-të, ndërsa 11 gola të tjerë i ka realizuar në pjesën e dytë.

Të gjithë golat, 36-vjeçari i ka shënuar me këmbën e djathtë. Gjilani nuk e ka fituar asnjëherë titullin e kampiones në Kosovë, ndërsa para dy edicionesh është renditur në vendin e dytë me pikë të njëjta me rivalen qytetëse, Dritën, por për shkak të rezultateve më të dobëta në duelet direkte, e kishte humbur mundësinë që të siguronte titullin.

Në sezonin aktual, Gjilani po shijon një vazhdë të mirë, ku në 13 ndeshje nuk ka pësuar asnjë humbje, teksa ka korrur 8 fitore dhe ka marrë edhe 5 barazime. Skuadra e Prognit është ekipi i vetëm në Superligë që ka pësuar vetëm një humbje. Me pak fjalë, duket se Gerhard Progni po jeton një rini të dytë të tij në futbollin e Kosovës.