RTSH Sport Live

 “Tokio 2020”, kuqezinjtë në përgatitjet e fundit

  • 21/07/2021
  • |
  • Tokio 2020
 “Tokio 2020”, kuqezinjtë në përgatitjet e fundit
Calja, Qerimaj, Petrov, Çullhaj, Merizaj e Kadiu, stërvitje në mjediset japoneze

Vetëm dy ditë përpara fillimit të Lojërave Olimpike në Tokio, të cilat do të jenë ekskluzivitet i Radio Televizionit Shqiptar duke nisur nga 23 korriku, 9 sportistët shqiptarë janë në stërvitje intensive. Pas Matvei Petrov, që konkurron më 24 korrik në kalin me doreza, apo dhe Indrid Çullhajt, i cili garon në xhudo në peshën 66 kilogram më 25 korrik, edhe sportistët e tjerë të mbërritur në fshatin olimpik janë në përgatitjet e fundit.

Të paktën sipas informacionit që jep zyra e shtypit e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Briken Calja dhe Erkand Qerimaj në peshëngritje, apo dhe Nikol Merizaj e Kledi Kadiu në not kanë zhvilluar seancat e tyre të para stërvitore në Tokio. Sigurisht që me shtimin e rasteve të Covid-19, kontrollet janë të përhershme me tamponet që kryhen përditë.

Por ajo që është e rëndësishme është se deri më tani i gjithë delegacioni shqiptar është shëndoshë e mirë. Ndërkohë në mesnatën e së mërkurës kanë mbërritur në fshatin olimpik Luiza Gega dhe trajneri Taulant Stërmasi. E së bashku me to dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Qitjes, Stefan Rrufo, kurse thuajse në të njëjtën kohë dhe drejtuesit më të lartë të olimpizmit shqiptar.

Bëhet fjalë për presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, dhe sekretarin e përgjithshëm Stavri Bello. I fundit që do të mbërrijë në Tokio do të jetë Izmir Smajlaj. Sakaq Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka përfituar nga projekti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, që në bashkëpunim me Federatën Botërore të Industrisë së Produkteve Sportive shpërndan uniformat e garës.

Dhe këtë gjë e kanë përfituar sportistët shqiptarë, që janë në Tokio, ndërsa do të përfitojnë dhe Luiza Gega e Izmir Smajlaj. Kështu tanimë gjithçka gati për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Lojërat Olimpike, ndërsa ceremonia e hapjes do të jetë në ora 13:00 të premten me orën e Tiranës.