Momenti i vështirë që po përjeton sot Honda rrjedh edhe nga fakti se i vetmi pilot që në njëmbëdhjetë vitet e fundit ka arritur të jetë konkurrues me RC213V, Marc Marquez, ka pasur probleme fizike. Kjo, e kombinuar edhe me faktorë të tjerë si risia në aerodinamikë, e cila ka ngadalësuar disi shpejtësinë e motorit të prodhuesit japonez. Por pse vetëm Marquez ishte në gjendje të bënte diferencën me këtë motor? Jorge Lorenzo, që ka fituar pesë herë titullin kampion bote, e që ka drejtuar dhe garuar me atë tip Honda, tregon arsyet.
"Marquez ka një stil shumë të veçantë drejtimi të motorit – tregon Lorenzo për të përditshmen As. – Që është shumë ndryshe nga i çdo piloti të zakonshëm. Ai frenon brutalisht dhe nisja e tij e mëpasme është ekstreme. Duke bërë këtë, Marc krijon një kimi të ve[antë me motorin duke bërë që ai t’i përshtatet mirë, por vetëm atij, e jo një piloti që ka një drejtim më standart të motorit".
Sipas Lorenzos, arsyeja e gjendjes aktuale të Hondës është: “Dëmtimi që pësoi Marquez bëri që Honda të humbasë një lider që e ka udhëhequr drejt fitoreve në tre vitet e fundit, përpara dëmtimit të pilotit spanjoll. Kjo më pas përkoi me ngritjen e Ducatit e motori i prodhuesit italian ishte vërtet superior”.
Por tashmë prodhuesi i motorëve nga Tokio ka marrë masa e falë edhe koncesioneve të dhëna nga Dorna, pret të kthehet në krye të MotoGp që në vitin 2024, ku megjithatë nuk do të llogarisë më aftësitë e tetë herë kampionit të botës.