RTSH Sport Live

Abissnet Superiore, Kukësi koleksionon të tretën fitore radhazi

  • 10/03/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Abissnet Superiore, Kukësi koleksionon të tretën fitore radhazi

Vetëm pak javë më parë Kukësi e pa veten në zonat e ftohta të klasifikimit, por tani “muzika” ka ndryshuar. Skuadra e drejtuar nga Hallaçi mundi sot Bylisin me rezultatin 2-0 për të koleksinuar fitoren e tretë radhazi në kampionat duke hapur “oreksin” e tifozëve dhe drejtuesve, të cilëve klasifikimi u lejon të ëndërrojnë për një vend në kupat e Europës.

Sa i përket takimit të zhvilluar në Kukës ishte skuadra e Bylisit, ajo që nisi duelin në sulm. Pas pak minutash lojë Ruçi mori karton të verdhë pasi rrëzimi i tij në zonën u konsiderua si simulim nga gjyqtari Laver Alla. Në të 15 minutë Kukësi pati një rast të artë shënimi por Teqja i mohoi golin Taipit. Kur kronometri shënonte minutën e 31’ Bylisi i shkoi pranë golit me Trumçin.

Në fraksionin e dytë Kukësi nisi lojën me tjetër ritëm duke shtyrë më shumë përpara në kërkim të golit. Në të 64’ Kukësi kaloi në avantazh. Rashiti goditi bukur me thembër duke realizuar golin e parë. Për të qetësuar tifozët vendas mendoi Taipi dhjetë minuta nga fundi i kohës së rregullt duke dyfishuar shifrat për ekipin e drejtuar nga Rraman Hallaçi.