RTSH Sport Live

Abissnet Superiore/ Vazhdon momenti i artë për Vllazninë, Balaj ndëshkon Teutën në fyrmën e fundit

  • 15/09/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Abissnet Superiore/ Vazhdon momenti i artë për Vllazninë, Balaj ndëshkon Teutën në fyrmën e fundit

Vllaznia ka marrë një fitore të madhe në Durrës ku ka mundur 2-1 vendasit e Teutës. Të dy ekipet vinin në këtë takim pas fitoreve të rëndësishme, me durrsakët të cilët mundën Skënderbeun, ndërsa shkodranët mposhtën kampionët në fuqi të Egnatias.

Sa i përket duelit të sotëm ndeshjen e nisi më mirë Vllaznia, e cila gjeti golin e avantazhit në pjesën e parë me anë të Esat Malës, i cili finalizoi një aksion të bukur.

Në pjesën e dytë Teuta u fut në fushë e vendosur për të ndryshuar diçka dhe Edi Martini me zëvendësimet e bëra arriti që të ndryshonte ekipin e tij. Goli i barazimit erdhi pikërisht nga njëri prej lojtarëve të aktivizuar në fillimin e fraksionit të dytë. Saleh Nasr shënoi një gol të bukur në të 57’ ndërsa vetëm pak çaste më vonë kishte një tjetër shans të artë për të ndëshkuar Kristi Qarrin, i cili në të 65’ u ndihmua nga shtylla.

Fundi i ndeshjes ishte për të dy skuadrat, të cilat nuk u kursyen dhe tentuan që të gjenin golin e fitores. Fati u buzëqeshi shkodranëve, të cilët pasi morëm një goditje nga këndi pa shumë mund arritën që të ndëshkonin me Balajn ekipin vendas në minutën e pestë dhe të fundit të shtesës.