RTSH Sport Live

Analiza e Muçës: Tiranës i ka rënë cilësia, por ka agresivitetin

  • 06/02/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Analiza e Muçës: Tiranës i ka rënë cilësia, por ka agresivitetin
Shkëlqim Muça, në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH

Java e 20-të e Abissnet Superiore” ka luajtur të hënën dy ndeshje, me Tiranën që ka marrë një fitore 2-1 në Rrogozhinë përballë Egnatias, ndërsa Partizani është mundur në shtëpi 2-1 nga Laçi. I pranishëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, Shkëlqim Muça ka analizuar këto dy ndeshje duke e etiketuar skuadrën bardheblu të aftë për të evituar mangësitë në cilësi me agresivitetin e saj.

“Tirana është një skuadër që edhe kur i bie pak cilësia e rrit agresivitetin dhe e kompenson largimin e një lojtari me cilësi duke rritur agresivitetin, grintën në lojë. Edhe loja e trajnerit më pëlqen, luan në varësi të kundërshtarit, skuadra ka një strukturë të mirë. Ka pika të forta që i shfrytëzon. Egnatia, me lojtarët që kanë ardhur, duhet kohë për harmonizimin, por është një skuadër që ka dëshirë, të luajë, të ngjitet. Duhet të kuptojnë që duhet të fitojnë potencën me kalimin e kohës, vit pas viti. Kur luan me Tiranën duhet të kuptosh se me kë luan, nuk mund të luash hapur. Duhet qëndruar me këmbë në tokë”.

“Aleksi do të mungojë javën e ardhshme kundër Vllaznisë? Është një lojtar i rëndësishëm, por Tirana ka forca për ta zëvendësuar”.

Ndërkohë, Muça ka analizuar dhe Partizanin, ku nuk kanë munguar kritikat për mënyrën e lojës, vendosjes së lojtarëve në fushë dhe strukturës së ndërtuar.

“Gjithmonë kam qenë kritik për mënyrën e lojës së Partizanit. Bën volum, por është shumë konfuz, sidomos në sulm. Tani edhe në mbrojtje kapet herë pas here. Ekipi duhet të marrë pjesë i gjithi në të dy fazat e lojës. Ka problem në dy aspektet e lojës, lojtarët që sulmojnë nuk dublohen dhe herë pas here kapen në befasi. Mbrojtësit nuk kanë kimi mes tyre, nuk veprojnë në harmoni. Ndërkohë, lojtarët sulmues luajnë në zona jo të përcaktuara dhe në momentet që topi humbet, ata nuk mbulojnë zonat e tyre. Skuadra ka volum, por është konfuze, nuk ka shumë ekuilibër. Ikja e Bitrit ka hapur një gropë të madhe, ndërsa në sulm ka lojtarë, por çdo gjë në lojë duket spontane”.