RTSH Sport Live

Ançeloti: Pas Realit ndoshta do të ndalem, Benzema meriton Topin e Artë

  • 03/05/2022
  • |
  • Spanjë
Ançeloti: Pas Realit ndoshta do të ndalem, Benzema meriton Topin e Artë
Trajneri Italian: “Nëse klubi më mban këtu për 10 vite, do të stërvis për 10 vite”

Në një intervistë për Prime Video, Carlo Ancelotti flet për herë të parë për daljen në pension. "Pas Realit, po, ndoshta do të ndalem. Nëse klubi më mban këtu për dhjetë vjet, do të stërvis për dhjetë vjet - rrëfeu trajneri italian -. Por do të doja të isha me nipërit e mbesat e mia, të shkoj me pushime me gruan time, ka kaq shumë gjëra për të bërë që kam lënë anash, që do të doja të bëja. Do shkoja në shumë vende ku nuk kam qenë kurrë. Nuk kam qenë kurrë në Australi. Nuk kam qenë kurrë në Rio de Janeiro. Të vizitoj motrën time më shpesh. Kështu, ditën që do të heq dorë do të kem shumë gjëra për të bërë”.

Ancelotti ka vetëm fjalë të mira për Karim Benzema, i cili po përjeton një sezonin të jashtëzakonshëm. "Benzema? Një nga karakteristikat e tij dhe karrierës së tij ka qenë vazhdimësia. Ai gjithmonë ka përparuar, nuk ka pasur ulje-ngritje, ka qenë vazhdimisht në nivele të larta. Ndoshta tani është në nivelin më të lartë. Ai e menaxhon veten sepse është një profesionist i madh, shumë i përulur, një lojtar i madh”.

“Ka zgjidhur shumë ndeshjet, ishte vendimtar në këtë sezon. Për momentin është një nga lojtarët më të famshëm në botë dhe ruan një përulësi të madhe, dhe besoj se kjo është forca e tij. Do të fitojë Topin e Artë. Por nuk fitohet vetëm për Benzema, pas ka strukturën e fortë të një klubi të fortë dhe cilësinë e një skuadre të nivelit të lartë”.

Vitin e ardhshëm, tifozët mund të ëndërrojnë për një treshe Benzema-Vinicius-Mbappé. “Në përgjithësi, lojtarët e mirë luajnë…”.

Ancelotti nuk e fsheh interesin për një aventurë si trajner kombëtarja, qershia mbi tortë e një karriere të paimitueshme. "Po, do të doja një kombëtare, por tani është e parakohshme. Sigurisht jo për këtë Botëror. Për atë në 2026, pse jo? A mund të ishte - rrëfeu ai - Kanadaja? Pse jo? Do të doja, sigurisht, ata bënë shumë mirë”.