Shqipëria nis rrugëtimin e kualifikueseve për Botërorin 2022. Kuqezinjtë luajnë sot ndaj Andorrës në orën 20.45 dhe ndeshja transmetohet në kanalet RTSH 1 HD dhe RTSH Sport të platformës digjitale të transmetuesit publik. Nuk do të mungojë edhe në këto eleminatore, emisioni shoqërues për Kombëtaren, “Ëndërr Kuq e Zi”, ku në drejtimin e Hygerta Sakos dhe me prezencën e Shkëlqim Muçës, Rudi Vatës dhe Pano Xhixhos do të analizohet prag-ndeshja ndaj Andorrës.
Formacionet dhe të rejat më të fundit nga “Estadi Nacional” do të jenë pjesë e emisionit përpara ndeshjes, ndërkohë që në orën 20.45 në komentin e Kristo Thoma dhe analizën e Shkëlqim Muçës vjen ndeshja direkte. Andorra - Shqipëri do të transmetohet njëkohësisht edhe në “Radio Tirana”, apo edhe në kanalin satelitor të transmetuesit publik. Shqipëria luan sot ndeshjen e parë në Grupin I, në të cilin bëjnë pjesë ekipe si: Anglia, San Marino, Polonia, Hungaria dhe Andorra. Kuqezinjtë luajnë 3 ndeshje brenda një jave, sepse të dielën në orën 18.00 pret Anglinë në “Arenën Kombëtare”, ndërkohë që ditën e mërkurë në 31 mars, Shqipëria luan në San Marino.
Të gjitha ndeshjet e Kombëtares do të transmetohen në RTSH, po ashtu si Botërori 2022 që është një ekskluzivitet i transmetuesit publik.