RTSH Sport Live

Ardian Abazaj: Pogradeci pretendon një nga dy vendet e para

  • 12/04/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Ardian Abazaj: Pogradeci pretendon një nga dy vendet e para
Trajneri i Pogradecit, Ardian Abazaj i pranishëm në studion e emisionit “E Hëna Sportive” në RTSH

Asnjë humbje në vitin 2021 dhe pretendimet janë rritur. Nuk është e lehtë, kur mendon se largimet që ndodhën ishin plotë 11. Bëhet fjalë për skuadrën e Pogradecit, që nën drejtimin e trajnerit, Ardian Abazaj ka rritur pretendimet në këtë pjesë të mbetur të sezonit, Superliga nuk është më një utopi. I pranishëm në studion e emisionit “E Hëna Sportive” në RTSH, Abazaj është ndalur tek barazimi në Berat me Tomorin, por dhe tek situara në përgjithësi në Grupin B të Kategorisë së Parë, apo tek forma e lojtarëve që ai drejton.

“Duke parë që fusha e Beratit është shumë e vështirë, jam i kënaqur me pikën që kemi marrë në fushën e Tomorit. Minutat e para të sfidës na kanë munduar shumë, por pritja e 11-metërshit nga ana e portierit tonë i ka dhënë zemër skuadrës. Nëse do të ishim treguar më të vëmendshëm, do e kishim shënuar golin e barazimit më përpara. Nga minuta e 25-të, deri në momentin e shënimit të golit të barazimit, skuadra është shprehur shumë mirë”.

"Jam i kënaqur në përgjithësi, por me vijën sulmuese dhe sidomos me Dragoin nuk jam i kënaqur, duke ditur cilësitë që ka ai lojtar, duke ditur që është një forcë shumë e madhe për ekipin tonë. Kjo pikë është shumë e rëndësishme për objektivat".

Asnjë humbje në vitin 2021: 6 fitore, 2 barazime: "Nuk është e lehtë të të largohen 11 futbollistë nga sezoni i kaluar dhe të arrish të ndërtosh përsëri ekipin. Unë objektivin me këta lojtarë e kam patur që të futemi në katërshe. Janë shumë lojtarë të rinj që e kanë pasion, e dashurojnë futbollin".

"Në fillim nuk e besonim, por kishte dhe nga ata që me thonin: mos u mërzit, rezultatet do vijnë. Dhe në fakt ashtu ndodhi. Janë lojtarë shumë të rinj, ku mund të veçoj njërin prej tyre, Arbër Pengu, që ka një të ardhme të madhe. Pas Endri Çekiçit, do të jetë pikërisht Arbër Pengu që do  ta vazhdojë rrugën e këtyre lojtarëve të talentuar të skuadrës së Pogradecit".

Kundërshtari më i fortë - "Është pak e vështirë të bësh një vlerësim, por Tomori dhe Besa kanë histori, Egnatia më pak. Por Egnatia, me investimin që ka bërë, me lojtarët dhe trajnerin që ka, mund të them se ka formën dhe përbërjen më të mirë. Por Pogradeci, më shumë se kundërshtarët mendoj se ka dëshirën, pasionin, vlerësimin që i bëjmë ndeshjeve. Mundohemi të qëndrojmë me këmbë në tokë".

Objektivi - "Vendi i parë? Do të ishim të kënaqur edhe me vendin e dytë. Para fillimit të sezonit kishim mundësinë të zhvillonim shumë miqësore, me Vllazninë, me Partizanin, me Tiranën, kisha fatin ti shikoja këta lojtarë se çfarë ishin në gjendje të bëjnë dhe vendosëm të gjithë bashkë që të arrinim në katërshen e parë. Më pas, oreksi vjen duke ngrënë. Tani jemi 5 pikë larg Egnatias, synojmë dy vendet e para".

"Të keshë djalin në skuadër? Është një siklet i madh. Nganjëherë gjithë inatin ia shpreh atij, edhe kur nuk e meriton. Unë kam një, po Magani që ka dy? Është shumë e vështirë"