Ish-portieri i njohur, Artur Lekbello, i cili është aktivizuar në radhët e Teutës, por edhe me Partizanin, ka folur për Rubrika Sportive në Radio Tirana për ecurinë e skuadrës bregdetare, e cila në ndeshjen e fundit është mundur nga Vllaznia.
“Te ecuria e Teutës ka diçka që nuk shkon, ka problem në shënimin e golit. Por në gjykimin tim, Teuta është përsëri aty. Nuk është një ekip me të rinj, lojtarët kanë relativisht një moshë mesatare, kanë pjekurinë për të përballuar sfidat e një kampionati, për të dalë nga situate në të cilën ndodhen”.
“Me humbjen në Shkodër, u evidentua se diçka çalon. Mendoj se skuadra ka nevojë për përforcime. Kam bindjen se skuadra do të luftojë për kreun, kampionati është i gjatë, ka sfidat e veta prapë. Edhe Vllaznia do të ketë vështirësitë e veta. Shkëputja duket relativisht e madhe, por nuk është e madhe”.
“Favoriti kryesor për titull është Vllaznia. Bën një lojë të hapur. Sulmon, pëson gol por dhe di të shënojë gol, sepse është vetë karakteri ndër vite i futbollit shkodran, plus gjërat e mira që ka në këtë kampionat: sponsorin, trajnerin, që ka disiplinë taktike. Kjo është shumë e rëndësishme për ecurinë e ekipit”.