RTSH Sport Live

Asllani: Titulli i fituar në derbi vlen më shumë

  • 23/04/2024
  • |
  • Itali
Asllani: Titulli i fituar në derbi vlen më shumë

Pas triumfit në derbi, i cili vlente më shumë për Interin pasi u kurorëzua kampion i Italisë, Kristjan Asllani komentoi si tifoz këtë sukses për mikrofonin e “Inter TV”.

“Jemi të lumtur, kemi luftuar dhe e dëshironim shumë këtë titull. Nuk kam fjalë. Kam shumë emocione pasi jam edhe tifoz i Interit”, tregon mesfushori shqiptar.

Mesfushori vlerësoi edhe tifozët zikaltër, të cilët edhe pse në “transfertë” ishin të shumtë në numër. “Tifozët ishin të magjishëm pasi ishin të shumtë në numër. Na kanë mbështetur dhe atmosfera e krijuar është magjike. Mbase ende nuk e kuptoj se çfarë kemi arritur”, tregon shqiptari.  

I pyetur nëse ky titull ishte i veçantë pasi u arrit përballë kushurinjve kuqezi, Asllani miratoi: “Është e vërtetë edhe pse kurrë nuk e kemi pranuar në publik. Mbase triumfi në derbi vlen diçka më shumë. E dëshironim shumë këtë sukses”.