Elbasani është bërë mikpritësi i aktivitetit të fundit të atletikës shqiptare, teksa bëhet fjalë për Kampionatin Kombëtar të moshës 13 dhe 15 vjeç. Në përgjithësi, të paktën në kalendarët e hershëm të aktiviteteve kombëtare të mbretëreshës së sportit, gjithnjë kampionati kombëtar i moshës deri në 13 dhe 15 vjeç zhvillohej në prill. Këtë herë është zgjedhur tetori, teksa fëmijët sapo kanë nisur dhe vitin shkollor, ndërsa në të kanë marrë pjesë të gjitha klubet anëtare të Federatës Shqiptare të Atletikës. Kjo që nga Elbasani, Vllaznia, Tirana, Partizani, Teuta, Skënderbeu, Besëlidhja, Laçi etj. Madje edhe dy shkolla 9-vjeçare të qytetit të Elbasanit, me shumë traditë në atletikën shqiptare, kanë sjellë ekipet e tyre.
Paraditja e së mërkurës ishte për garat e moshës deri në 13 vjeç, kurse pasditja për ata të moshës deri në 15 vjeç. Jo vetëm garat e vrapimeve, apo dhe të kërcimeve, por dhe hedhjet. E përgjithësisht pretendohet që kështu, pse jo duke vazhduar dhe me atletikën në shkolla, të ketë më shumë masivitet. Dhe me Maratonën e Tiranës të dielën, atletika shqiptare ul siparin e të gjitha veprimtarive kombëtare për vitin 2022.