RTSH Sport Live

Austri – Gjermani, “bileta” falas për tifozët e shtëpisë

  • 28/05/2020
  • |
  • Të tjera
Austri – Gjermani, “bileta” falas për tifozët e shtëpisë

Europa shikon dritë në fund të tunelit dhe dalëngadalë po vë në lëvizje mekanizmat për rifillimin normal të jetës ku natyrisht, sporti ka një pjesë të rëndësishme.

Me rihapjen e terreneve stërvitore madje edhe me rinisjen e kampionateve, institucionet janë vënë në lëvizje për të zgjidhur problematikat më të mprehta që lidhen jo vetëm me lojën në fushë por edhe transmetimin e ndeshjeve për publikun e gjerë. Prej disa muajsh, federatat por edhe institucionet qeveritare po ndërtojnë strategji për të përmbushur të gjitha detyrimet morale dhe ligjore edhe ndaj tifozëve që do të ndjekin ndeshjet nga shtëpia.

Austria, ku Superliga do të rinisë në datën 2 qershor me dyer të mbyllura ka gjetur formulën më të favorshme për t’u dhënë një dorë tifozëve që nuk kanë mundësi të jenë në shkallë por edhe më gjerë, të gjithë dashamirësve të sportit. Kanali publik ORF finalizoi me sukses blerjen e paketës së pjesshme për transmetimin pa pagesë, një dhuratë kjo për të gjithë familjarët e paabonuar në paketat me pagesë. Sipas marrëveshjes së arritur me transmetuesin me pagesë, deri në fund të sezonit, ORF do të transmetojë 15 ndeshje “free”, 10 përballje të grupit që lufton për titullin dhe 6 sfida të skuadrave në betejën për mbijetesë. Përtej Austrisë, në Gjermani ku Bundesliga tashmë është rifutur në shinat e sezonit, palët janë dakordësuar gjithashtu që publiku të ketë mundësi të ndjekë një pjesë të sfidave pa pagesë dhe kjo mund të konsiderohet një arritje për federatën, ligën dhe qeverinë pasi në këtë mënyrë evitohen grumbullimet e tifozëve të ndryshëm pranë stadiumeve duke evituar edhe mundësinë e përhapjes së koronavirusit.

Ky ishte në fakt një nga shqetësimet më të mëdha në Gjermani ku kanë gjetur formulën për të plotësuar dëshirat e të gjitha palëve ndërsa fituesi më i madh në këtë mes është sigurisht publiku dhe tifozët që kanë humbur të drejtën për të ndjekur ndeshjet nga komplekset moderne. Këtë linjë pritet ta ndjekin edhe të gjitha vendet ku planifikohet që gjatë ditëve apo javëve të ardhshme të rinisë futbolli. Kontinenti i vjetër, ndoshta si asnjëherë më parë socializohet me të gjitha shtresat duke u dhënë mundësinë njerëzve të ndjekin nga ekrani pa kosto shtesë sportin që duan më shumë, futbollin post pandemisë.