Vllaznia dhe Elbasani e kanë mbyllur takimin e tyre në barazim 1-1. Në sfidën e zhvilluar në Loro Boriçi, kuqeblutë e trajnerit Bërdariç humbën edhe një penallti, teksa kapiteni Balaj nuk u tregua i saktë nga pika e bardhë.
Ndeshja e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”, ajo midis Vllaznisë dhe Elbasanit u mbyll në barazim 1-1. Një lojë e bukur me raste dhe e luftuar nga ana e të dyja skuadrave. Vendasit janë të rrezikshëm që në fillim kur Gruda godet me kokë por topi shkon jashtë kuadratit të mbrojtur nga Abalora. Djemtë e trajnerit Brdariç konkretizojnë shumë shpejt, kur Deliu brenda zonës tregohe i saktë dhe 1-0. Ndërkohë që Tsage humbet një rast të mirë për të barazuar.
Por do të jetë Emiliano Musta që do të mposhtë Jukajn dhe Elbasani barazon 1-1. Minuta e 25’, prekje e topit me dorë në zonën e verdhebluve dhe kryesori Bastari jep 11 metërsh për Vllazninë. Por Abalora i vëmendshëm e pret gjuajtjen e goditur nga kapiteni Balaj. Vllaznia shpërdoron kështu mundësinë për të kaluar në avantazh.
Me fillimin e pjesës së dytë Balaj provon me kokë por Abalora tregohet i vëmendshëm duke kontrolluar topin. Minuta të mira për Elbasanin që është shumë pranë golit me Abas por pa mundur të finalizojë. Kundërpërgjigjet Vllaznia por vetëm shtylla e ndal golin e kuqebluve.
Rastet vijojnë sa te njëra portë në tjetrën. Fillimisht është Loukili që gjuan por Jukaj është në pozicion. Më pas kundërpërgjigjet Vllaznia por Abalora i pret të dy goditjet e ardhura në drejtim të portës së mbrojtur prej tij.
Përfundimisht në “Loro Boriçi” mbyllet në barazim 1-1 midis Vllaznisë e Elbasanit. Nga një pikë për të dyja skuadrat. Vllaznia vazhdon të qëndrojë në vendin e dytë në superiore me 45 pikë ndërsa Elbasani me 31 pikë pozicionohet në vendin e pestë.