RTSH Sport Live

Basketboll Meshkuj/Goga Basket, e papërmbajtshme

  • 17/03/2021
  • |
  • Basketboll
Basketboll Meshkuj/Goga Basket, e papërmbajtshme
Pesë ndeshje, pesë fitore radhazi, por masat anti-Covid 19 ndërpresin lojën për disa çaste

Goga Basket ka realizuar fitoren e pestë radhazi, ndërsa në mbrëmjen e së mërkurës ka triumfuar në derbin e Durrësit pikërisht në ndeshjen ndaj Teutës, e cila ka ardhur drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Në fakt ka qenë një periodë e parë e barabartë, të paktën deri në 13-13. Një shkëputje e lehtë e Goga Basket, që deri në sekondat e fundit ka kryesuar 18-19. Dhe pikërisht në prag të rënies së gongut vjen dhe trepikëshi i Perisier, i cili i jep fitoren Teutës 21-19.

Perioda e dytë në barazimin 22-22 shënon ndërprerjen e lojës, sepse vëzhguesi i ndeshjes, Arben Kasmi, ka kërkuar zbrazjen e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” nga njerëzit e tepërt, kjo në respektimin e protokolleve anti-Covid 19. Dhe pas rinisjes së lojës është thuajse një duel pikë më pikë. 24-25 perioda e dytë dhe në pushim Teuta është në avantazh 45-44. Pas pushimit, Goga Basket, edhe me udhëzimet e Lazimit, arrin jo vetëm të mbrojë mirë e të kundërsulmojë, por dhe të luajë në presing.

 21-29 perioda e tretë dhe Goga Basket thellon në 66-73. Madje arrin të shkëputet deri në 12 pikë diferencë. Por gradualisht Teuta ngushton diferencën, por jo aq sa për të përmbysur.  21-22 për Goga Basket perioda e katërt dhe në përfundim 87-95 për skuadrën e Melzin Lazimit.

Në ndeshjet e tjera të Superligës së meshkujve Vllaznia për meshkuj ka triumfuar ndaj Tiranës vetëm në kohën shtesë, 92-87, kurse Partizani ka mundur Eagles Basket, 78-57. Superliga e meshkujve do të jetë përsëri të shtunën në ekranin e RTSH Sport, tanimë me ndeshjen e parë të fazës së dytë, Vllaznia – Teuta.