RTSH Sport Live

Bayern, zyrtarizohet ndryshimi në pankinë: lamtumirë Nagelsmann, vjen Tuchel

  • 24/03/2023
  • |
  • Gjermani
Bayern, zyrtarizohet ndryshimi në pankinë: lamtumirë Nagelsmann, vjen Tuchel
Klubi bavarez ka zyrtarizuar nënshkrimin me ish-trajnerin e Chelsea deri më 30 qershor 2025

Ndryshim në stol për Bayern. Klubi bavarez, në fakt, zyrtarizoi të premten pasdite shkarkimin e Julian Nagelsmann dhe punësimin e Thomas Tuchel, i cili ka nënshkruar kontratë për dy sezone e gjysmë deri më 30 qershor 2025. Ish-trajneri i Chelsea, i cili u shkarkua shtatorin e kaluar, do të drejtojë seancën e parë stërvitore të hënën. Së bashku me Nagelsmann, u pushuan nga puna edhe bashkëpunëtorët e tij, Dino Toppmoller, Benjamin Gluck dhe Xaver Zembrod.

Për të motivuar largimin surprizë të Nagelsmann-it, ishte drejtori sportiv i Bayernit, Hasan Salihamidzic në kanalet zyrtare të klubit ka theksuar: “Ky ka qenë vendimi më i vështirë në kohën time si anëtar i këshillit sportiv të Bayern. Unë kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të hapur, të besueshme dhe miqësore me Julian që nga dita e parë. Më vjen keq për mënyrat sesi ndodhi ndarja me Julianin. Por pas një analize të thellë të evolucionit sportiv të ekipit tonë, veçanërisht që nga janari dhe me përvojën e gjysmës së dytë të sezonit të kaluar, tani kemi vendosur ta shkarkojmë atë. I jam shumë mirënjohës Julianit për atë që ka bërë për Bayernin dhe i uroj gjithë të mirat”.