RTSH Sport Live

Bellingham mund ti kushtojë Realit edhe 31 milionë euro të tjera

  • 24/04/2024
  • |
  • Spanjë
Bellingham mund ti kushtojë Realit edhe 31 milionë euro të tjera

Jude Bellingham mund t'i kushtojë Real Madridit edhe 31 milionë euro të tjera. Verën e kaluar, klubi spanjoll i pagoi Borussia Dortmundit një shumë të konsiderueshme për kampionin anglez, 103 milionë euro, të cilës me shumë gjasa do t'i shtohen edhe të tjera.

Në njoftimin për shtyp të publikuar nga spanjollët në momentin e zyrtarizimit, flitej për një pjesë fikse (103 milionë), plus bonuse deri në maksimumi 30%. Përkthyer në para: 30.9 milionë.

Por cilat janë rezultatet që do të duhet të arrijë Bellingham për të shkaktuar këto bonuse? Portali spanjoll AS raportoi disa nga objektivat: përfshirja në “Top 11” të Ligës së Kampionëve ose në formacionin ideal FIFA The Best, fitimi i titullit të golashënuesit në La Liga (aktualisht është i dyti me 17 gola pas Dovbyk që ka 18).

Bellingham është lojtari i katërt i Realit që ka luajtur më shumë minuta këtë sezon (3190, vetëm pas Valverde, Rudiger dhe Rodrygo) dhe ka shënuar 21 gola dhe 10 asistime në 36 ndeshje këtë sezon. Dortmundi vazhdon të shijojë fenomenin Bellingham, i vetëdijshëm se çdo arritje e anglezit vlen edhe për ata.