Edhe Tirana do të jetë pjesë e Kampionatit Botëror të Regbisë, i cili ka nisur të premten në Francë. Nëpërmjet një Fan Zone të krijuar në Pazarin e Ri në kryeqytet, shumë qytetarë shqiptarë dhe francezë, të apasionuar pas këtij sporti, një ekran i madh u ka mundësuar të ndjekin fillimisht ceremoninë hapëse të botërorit dhe më pas ndeshjen e parë, atë midis Francës dhe Zelandës së Re. Pierre Raynaud, këshilltari për çështjet kulturore në ambasadën franceze në kryeqytet, ka falenderuar bashkinë e Tiranës për krijimin e kësaj fan zone.
“Mirëseerdhët në ceremoninë e Kupës së Botës. Falenderoj klubin e Regbisë Tirana dhe bashkinë e tiranës që kanë krijuar këtë fan zonës në kryeqytet për të ndjekur ndeshjet e kësaj veprimtarie“, ka deklaruar Pierre Raynaud
Ndërsa nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, Keti Luarasi, ka theksuar rëndësinë e sportit, jo vetëm të regbisë, për të edukuar në mënyrë sa më të shëndetshme brezin e ri.
“Me dëshirën e mirë që ky sport të zhvillohet akoma më tepër në Shqipëri, jo vetëm në Tiranë, do të zhvillohen aktivitete të tjera të këtij lloji, që ne të kemi një jetë sa më të shëndetshme. Secili nga fëmijët tanë, të rinjtë tanë, dhe jo vetëm, të ketë një jetë sa më aktive“, ka theksuar Luarasi
Tirana si kryeqyteti evropian i sporteve për vitin 2023 do të vazhdojë të zhvillojë aktivitete të tjera sportive.