RTSH Sport Live

Calhanoglu, gjesti ndaj tifozëve pas asistimit për Lautaron

  • 06/02/2023
  • |
  • Itali
Calhanoglu, gjesti ndaj tifozëve pas asistimit për Lautaron
Mesfushori nuk përmbahet pas golit që vendosi derbin kundër Milanit në kampionat

Në derbin e fituar mbrëmë ndaj Milanit kishte dorë Hakan Calhanoglu. Pas ofendimeve të marra në festën e Milanit për titull sezonin e kaluar, mesfushori turk i Interit i hoqi kënaqësinë e fitimit të Superkupës në Riad ndaj ish-shokëve të tij dhe u gëzua pas asistimit në golin e fitores për Lautaron në ndeshjen e kampionatit të luajtur mbrëmë...

Pas triumfit në Superkupën, Calhanoglu kishte deklaruar se, "ishte e vështirë për mua të shihja disa gjëra që nuk i prisja". Referenca është për fyerjet gjatë festës titull të Milanit sezonin e kaluar. Mbrëmjen e djeshme, në minutën e 34-të të derbit, Calhanoglu po përgatitej të ekzekutonte goditjen e këndit dhe në atë moment është pushtuar nga ofendimet e zakonshme që vinin nga tifozët: “Calhanoglu, bir i...”.

Ish-mesfushori kuqezi realizoi goditjen nga këndi, që rezultoi një asistim perfekt për goditjen me kokë të Lautaro Martinezit, një gol që ishte vendimtar. Përpara se të vrapojë për të brohoritur me shokët e skuadrës, Calhanoglu kthehet nga turma e kuqezinjve, duke vënë gishtin tregues në hundë. Fyerjet e marra pak më parë u heshtën nga gjesti i tij.