RTSH Sport Live

Derbi në Kupë, Mehmeti kërkon mbështetjen e tifozëve

  • 09/02/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Derbi në Kupë, Mehmeti kërkon mbështetjen e tifozëve
Çerekfinalja e kthimit mes Partizanit dhe Dinamos, të enjten në “Air Albania”, ora 18:00

Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, Partizani dhe Dinamo do të luajnë aktin e dytë në kuadër të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, të enjten në “Air Albania”, ora 18:00. Trofeu i Kupës shihet si një detyrim për të dyja skuadrat, duke qënë se në kampionat situate nuk është aspak e favorshme, sidomos për blutë.

Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti ka dalë në një konferencë për shtyp duke komentuar në funksion të sfidës me Dinamon.

“Fitorja me Teutën në kampionat, sigurisht që ndikon pozitivisht, rrit entuziazmin, por na duhet ekuilibër. Nesër me Dinamon është një ndeshje specifike, vendoset kualifikimi. Jemi munduar të përgatisim këtë ndeshje në mënyrën e duhur. Kam një thirrje për tifozët, që të vijnë në stadium, pasi janë pjesë e pandashme e jona, nuk mund të bëjmë pa ta”.

“Në këtë sfidë nuk duhet të udhëhiqemi vetëm nga dëshira, por dhe nga logjika, do jenë 90 minuta të zjarrta. Kampionati? Nuk e kemi humbur betejën, pasi janë akoma shumë pikë në lojë, jemi Partizani dhe do respektojmë garën javë pas jave. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e Kupës, më pas do vlerësojmë çdo ndeshje të kampionatit”.

“Me Teutën kemi luajtur mirë, kemi një frymë tjetër. Me Dinamon luajtëm mirë në pjesën e dytë. Në Laç luajtëm mirë, por u mundëm. Me Kastriotin kemi vuajtur disi para portës, kështu që ndeshjet nuk i ngjajnë njëra tjetrës. Unë e bazoj lojën te grupi, jo te individët. Edhe me mungesa është treguar se forca e grupit qëndron mbi individët. Në Europë, përmes Kupës apo kampionatit? Do e shikojmë këtë javë pas jave. Nuk mund të flasim tani për këtë, pas çdo ndeshja do vendosim dhe objektivat”.