RTSH Sport Live

Devolli bën “prapa-kthehu”, zyrtarizon dorëheqjen

  • 12/01/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Devolli bën “prapa-kthehu”, zyrtarizon dorëheqjen
Trajneri i Nën-19-vjeçarëve të Tiranës i kërkon ndjesë klubit bardheblu

Ka marrë fund edhe ajo që po shndërrohej në një çështje, pasi Bledar Devolli ka bërë “prapa-kthehu”, pasi u emërua zv/trajner te skuadra e Dinamos. Gjirokastriti u largua nga drejtimi i skuadrës së Nën-19-vjeçarëve të Tiranës, duke prishur në mënyrë të njëanshme kontratën. Por, të mërkurën përmes një shkrese drejtuar klubit bardheblu, ai ka dhënë dorëheqjen. Në këtë mënyrë i ka kërkuar ndjesë kryeqytetasve për veprimin e nxituar duke pranuar ofertën e Dinamos, pa mbyllur ende llogaritë me Tiranën. Në letrën e drejtuar klubit bardheblu, Devolli falënderon të gjithë ata me të cilët ka punuar duke nisur nga presidenti Halili e deri te lojtarët me të cilët punoi për disa muaj. Ai thekson se kalimin te Dinamo si zv. trajner e sheh si trampolinë për karrierën e tij profesionale.

“Për të ndërmarrë një hap të rëndësishëm në karrierën time, për ta përdorur si trampolinë drejt një mundësie të trajnimit të një ekipi të parë të Superiore, zgjodha të tërhiqem nga pozicioni aktual si trajner i Nën-19-vjeçarëve të Tiranës, - shkruan gjirokastrite, që më tej vijon: “I jam falënderues për korrektësinë morale dhe financiare, si dhe për besnikërinë, klubit të madh KF Tirana, duke nisur nga presidenti Refik Halili, drejtori i përgjithshëm, drejtori sportiv, drejtori i akademisë si dhe lojtarëve të skuadrës U-19 për mundësinë dhe mbështetjen që më kanë dhënë. Bledar Devolli”.

 Kujtojmë që Tirana e çoi këtë çështje në FSHF, pasi ish-futbollisti gjirokastrit prishi në mënyrë të njëanshme kontratën. Por, tashmë palët duken se kanë vënë “paqe” mes tyre teksa ka ardhur kjo letër e Devollit, ku krahas dorëheqjes, duket si një lloj ndjese karshi drejtuesve bardheblu.