RTSH Sport Live

Diego Longo, trajneri i ri i Flamurtarit

  • 24/03/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Diego Longo, trajneri i ri i Flamurtarit
Prezantohet zëvendësuesi i Troisit, të gjithë presin kalimin në Superiore

Diego Longo është trajneri i ri i Flamurtarit, i cili është prezantuar të premten në Vlorë, kjo dhe në prani të presidentit Sinan Idrizi. Është vlerësuar karriera e jashtëzakonshme e ish-trajnerit të Kukësit, ndërsa objektivi është kthimi i Flamurtarit në Superligë.

"Emergjenca është kjo koha që kemi në dispozicion. Por të jeni të sigurtë që kemi një rrugëtim shumë të gjatë bashkë. Pra një rrugëtim që besoj se do të jetë jo vetëm afatmesëm, por shumë afatgjatë", shpjegon Sinan Idrizi.

Longo është shfaqur i kënaqur që do të jetë në krye të Flamurtarit, ndërsa i bindur se skuadra ka potencial për të realizuar objektivat.

 “Jam në krye të Flamurtarit edhe për njerëzit që kam gjetur në Vlorë. Kam patur dhe oferta të tjera, por i kam refuzuar ato. Kemi 6 ndeshje dhe ne duhet të shkojmë në Superligë. Në mendjen time ekziston vetëm Flamurtari. I kam parë ndeshjet e skuadrës. Kam folur me lojtarët, drejtuesit dhe njohësit e futbollit në Vlorë. Sigurisht që do të ndryshojmë diçka për të mirën e Flamurtarit. Madje skuadra e parë që kam njohur në Shqipëri ishte Flamurtari, ndërsa kam qenë pjesë e Petrolut Ploeshtit. 100-vjetori i klubit Flamurtari shpresoj të jetë ogur i mirë për ekipin për të qenë në elitën e futbollit shqiptar”, nënvizoi Longo.

Ndeshja e parë zyrtare e Longos në krye të Flamurtarit do të jetë më 2 prill në transfertën e Orikut në derbin e Vlorës.