RTSH Sport Live

Dinamo “cinike” ndal vrullin e Erzenit

  • 14/04/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Dinamo “cinike” ndal vrullin e Erzenit
Fiton 2-0 në kryeqytet dhe tanimë është vetëm 2 pikë pas Partizanit të vendit të 3-të

Në takimin që ka ulur siparin e javës së 31-të të Kategorisë Superiore, që u luajt të dielën në mbrëmje, Dinamo ka ka korrur një fitore shumë të rëndësishme, teksa ka mundur me shifrat 2-0 Erzenin në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet. Blutë e trajnerit Dritan Mehmeti ishin parakaluar në renditje nga Tirana një ditë më parë, por të dielën kanë reaguar, duke u përgjigjur në mënyrën më të mirë, në një ndeshje që e interpretuan mjaft mirë duke mos i lejuar shijakasve të rrezikonin portën e Salit, ndërsa goditën me rastin e parë që iu shfaq me Denison.

Përtej një loje të hapur, që ka parë të dyja skuadrat të ndajnë kontrollin e topit dhe zotërimin e territorit në 20 minutat e para, do të jetë një aksion i bukur i bluve, teksa Tahiri do të ndërthuret bukur me Denisonin dhe ky i fundit çon topin në rrjetë, duke e kaluar Dinamon në epërsi. Me këtë epërsi minimale të skuadrës vendase është mbyllur pjesa e parë, edhe pse Zeka ka shpërdorur një rast të artë për shijakasit në minutat shtesë.

Pjesa e dytë do të shohë sërish një lojë të hapur, me të dyja skuadrat që ndërtojnë dhe provojnë ta godasin njëra-tjetrën. Megjithatë, Dinamo ia ka dalë ta administrojë epërsinë minimale dhe priti momentin në pjesën e dytë për të mbyllur ndeshjen në minutën e 72-të, falë golit të Kaçorrit, i cili shfrytëzoi një gabim të prapavijës mike në momentin e tyre më të mirë. Kështu, Dinamo kthehet në vendin e 4-t, vetëm dy pikë prapa Partizanit të vendit të 3-të, ndërsa Erzeni është i parafundit dhe sheh t’i largohen skuadrat që ka më lart në renditjen e kampionatit.