Dinamo, bashkë me Flamurtarin në kuotë të njëjtë pikësh, pas 9 javësh kampionat në Kategorinë e Parë, udhëheq kampionatin në kuotën e 18 pikëve. Në fakt vendi i parë shkon për vlonjatët për shkak të bilancit në përballjet direkte. Një paraqitje e mirë për blutë e kryeqytetit, që pretendojnë të rikthehen në kategorinë e më të mirëve. Sigurisht që për trajnerin e skuadrës, Nevil Dede është komode të jeshë në këto pozita, por llogaritë bëhen në fund.
“Jemi të parët, por do mundohemi të rritemi akoma. Gjithsesi, në futboll nuk mund të thuash se i di të gjitha dhe do i arrij të gjitha. Duhet të tregohemi inteligjent në strategjinë që ndërtojmë, deri tani mendoj se jemi në rrugën e duhur. Edhe kemi gabuar, por kampionati është aq i gjatë, sa që në fund harron se çfarë është bërë më përpara. Llogaritë bëhen në fund”.
“Edhe në Kategorinë e Parë, ashtu si në Superiore, diferencat janë të vogla, efekti fushë ka ndikim. Në shtatë ndeshje që janë, vetëm një fitore ose dy janë jashtë fushe, por ka raste që nuk ka fare”.
Dede ka dhënë një mendim dhe për Superioren, në veçanti për Tiranën, Partizanin e Vllazninë, për atë që kanë dhënë në këto 11 javë. “Tirana është një skuadër me mentalitet më të fortë se Partizani. Bën ndeshje të shëmtuar por mer pikët, ndërsa Partizani nuk mer pikë, gabon me skuadra të lehta në letër. Vllaznia? Nuk është treguar pragmatiste, do flisnim ndryshe nëse do i kishte ato pikë që ka lënë në Loro Boriçi”.