Në prag të ndeshjes kundër Vllaznisë, Dinamos i kthehen disa lojtarë të rëndësishëm që munguan kundër Teutës, për arsye të ndryshme. Në dyshim është Itodo, i cili u dëmtua në ndeshjen kundër Partizanit, ku shënoi golin e tij të dhjetë në kampionat.
Dinamo do të kërkojë kthimin te fitorja të shtunën, e cila i mungon që nga 19 janari, kur fitonte 3-1 kundër Elbasanit. Kundërshtari i radhës do të jetë Vllaznia, një nga skuadrat më të formë, që në pesë ndeshjet e vitit 2025 ka katër fitore dhe vetëm një humbje me Egnatian. Ndryshe nga Vllaznia, blutë janë mjaftuar më pas me tri barazime radhazi në kampionat, në ndeshje nën nivelin e shfaqur më parë.
Paraqitjet e pamjaftueshme të bluve janë kushtëzuar edhe nga mungesat e shumta të lojtarëve të rëndësishëm, që nga portieri Sali e deri te sulmuesi Itodo Mandela, ky i fundit tepër i rëndësishëm për manovrën sulmuese. Për ndeshjen me Vllazninë Daja do të ketë në dispozicion tre lojtarë që nuk luajtën në takimin e fundit, kundër Teutës, mbyllur pa gola.
Meksi ishte i pezulluar, ndërsa Bregu kishte gjendje gripale të cilën e ka kaluar. Lajmi i mirë është rikthimi i të dëmtuarve Sali e Dita, ndërkohë që Itodo është në dyshim.
Nigeriani nuk konsiderohet jashtë përballjes me shkodranët, por gjendja e tij do të shihet në vazhdimësi për shkak të dëmtimit që mori në ndeshjen me Partizanin, ku ai shënoi golin e dhjetë në kampionat.