E mori skuadrën në një moment të vështirë, pas tërheqjes së dyshes italiane, Moriero-Mikoli, duke e udhëhequr atë drejt rikthimit, pas thuajse një 10-vjeçari, në nivelin më të lart të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Por duket se dështimi në finalen e Kategorisë së Parë, që ka kurorëzuar Egnatian e Rrogozhinës si fituese të këtij edicioni, ka bërë që trajneri i Dinamos, Olsi Uku të japë dorëheqjen.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, lajmi që qëndronte në ajër që nga e shtuna, është zyrtarizuar nga Klubi Dinamo, që ka dale me një deklaratë: Futboll Klub Dinamo njofton se ka pranuar dorëheqjen e trajnerit Olsi Uku. Klubi është mirënjohës dhe falenderues për punën e realizuar, korrektësinë e treguar dhe vullnetin e madh për të arritur së bashku objektivin madhor, rikthimin në Superiore. Falenderime për Olsin dhe urojmë suksese të mëtejshme në një karrierë të saponisur me shumë sukses!
Uku mori drejtimin e Dinamos në muajin mars dhe ia doli të arrijë objektivin e skuadrës kryeqytetase, duke siguruar ngjitjen në Kategorinë Superiore.