Dinamo detyrohet që të mbyllë vitin 2024 pa një nga lojtarët e saj më të mirë. Dejvi Bregu u dëmtua në derbin kundër Partizanit dhe u largua nga fusha para kohe.
Lojtari ka kryer vizita të specializuara në ditët pasardhëse dhe ato kanë konfirmuar një dëmtim në këmbën e majtë. Bregu ka thyer një nga gishtat e këmbës dhe në këto kushte është e domosdoshme një ndërhyrje kirurgjikale.
29-vjeçari pritet që të qëndrojë jashtë fushës së blertë për disa javë dhe vështirë se mund të zbresë më në fushë në këtë vit kalendarik (2024).
Një lajm i keq për Dinamon, që humbet një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Deri më tani Bregu kishte shënuar 5 gola, duke qenë një nga protagonistët e ekipit të Ilir Dajës.