RTSH Sport Live

Superiorja, gjashtë javë në një muaj

  • 23 orë para
  • |
  • Abissnet Superiore
Superiorja, gjashtë javë në një muaj
Kampionati do të rinisë më 23 nëntor dhe do të luhet pa ndërprerje deri më 22 dhjetor

Abissnet Superiore do të rikthehet të shtunën, me ndeshjet e javës së 14-të dhe do të luhet pa ndërprerje deri më 22 dhjetor, kur do të jenë edhe ndeshjet e fundit për këtë viti. Për një muaj do të luhen gjashtë raunde të kampionatit, që më pas ndërpritet deri më 11 janar 2025.

Kampionati kombëtar Abissnet Superiore do të kthehet më 23 nëntor me ndeshjet e javës së 14-të, pas ndërprerjes për dy ndeshjet e kombëtares në Nations League. Nuk do të ketë më ndërprerje deri në festat e fundvitit, me ndeshjet e fundit që do të luhen më 22 dhjetor. Gjatë periudhës njëmujore që nga 23 nëntori, do të luhen gjashtë javë, deri te e 19-ta.

Të shtunën, më 23 nëntor do të luhen dy ndeshje të jvës së 14-të, Vllaznia-Teuta dhe Skënderbeu-Dinamo, të dyja në orën 17.00, ndërsa të dielën do të jenë tri ndeshjet e tjera, me Bylis-Egnatia në 13.00, dhe Parizani-Laçi e Elbasani-Tirana në orën 17.00.

Ndeshjet e fundit për vitin 2024, ofrojnë përballjen Partizani-Vllaznia, skuadrat që aktualisht mbajnë dy vendet e para të renditjes, por sigurisht që mbetet për t’u parë nëse do t’i kenë ruajtur këto pozita edhe pas pesë javësh. Pas javës së 19-të, kampionati do të ketë ndërprerjen më të gjatë, rreth tri javë, me pushimet e festave dhe minifazat përgatitore të dimrit. Kampionati do të rinisë më 11 janar, kur do të luhen të gjitha ndeshjet e javës së njëzetë.