RTSH Sport Live

Partizani, i pari dhe në vlerë tregu

  • 9 orë para
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani, i pari dhe në vlerë tregu
Të kuqtë janë skuadra që vlen më tepër, ndjekur nga Tirana dhe Dinamo

Partizani kryeson renditjen e Abissnet Superiore, por edhe renditjen e vlerës totale në treg. Sipas sitit të specializuar për tregun dhe vlerat e lojtarëve, Transfermarkt, skuadra e kuqe ka një vlerë totale 5.5 milion euro, e ndjekur nga Tirana zhgënjyese në kampionat, me 4.4 milion euro, dhe Dinamo, me 4.35 milionë.

Partizani është skuadra në të cilën vlera e futbollistëve përputhet më së miri me vendin në renditjen e kampionatit, pas 13 javëve të para. Të kuqtë kryesojnë në Abissnet Superiore, por edhe në renditjen e vlerave të skuadrave në treg, sipas sitit të specializuar Transfermarkt. Partizani ka 27 futbollistë të regjistruar, me vlerë totale tregu 5.5 milion euro, mesatarisht 204 mijë euro për lojtar.

Vendin e dytë në renditjen e vlerës së tregut e mban Tirana, me 4.4. milion euro, vlerë që deri tani nuk është pasqyruar në atë çka skuadra bardheblu ka dhënë në kampionat, ku mban vendin shtatë dhe lundron në ujërat e turbullta të fundit të tabelës. Vllaznia, skuadra që ndjek Partizanin në renditjen e kampionatit, është e katërta përsa i përket vlerës së tregut, me 4.14 milion euro. Ashtu si Partizani, edhe Dinamo ka, deri tani, përputhje të pozicionit në renditjen e kampionatit dhe në renditjen e vlerave të tregut, e treta, me 4.35 milion euro.

Me pikë të barabarta me blutë në kampionat është Egnatia, ndërsa në renditjen e Transfermarkt mban vendin e pestë, me vlerë totale 4.14 milion euro. Vendin e fundit në të dyja renditjet e mban Bylis, me vlerë 2.66 milion euro. Vlera totale e të gjitha skuadrave të Abissnet Superiore është 39.75 milion euro, me mesatare 142 mijë euro për lojtar.

Pas Partizanit, vlerën më të lartë mesatare për lojtar e ka Egnatia, 172 mijë. Ndërkohë, Skënderbeu që ka vlerë tregu të përgjithshme 3.88 milion euro, është skuadra me më tepër lojtarë të huaj, 13, ndërsa Teuta ka vetëm katër.