RTSH Sport Live

Magani, një ndihmë nga pauza

  • 12/11/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Magani, një ndihmë nga pauza
Ndërprerja e kampionatit i jep mundësi trajneri të punojë për zbatimin e ideve të tij te Tirana

Gugash Magani e nisi rrufeshëm detyrën si trajner i Tiranës e ndoshta tifozët do të donin që kampionati të mos ndërpritet për të vazhduar me valën e entuziazmit të fitores 4-0 kundër Bylisit. Megjithatë, pauza e kampionatit i jep mundësi trajnerit të punojë për të vënë në zbatim pa u nxituar idetë e tij.

Gugash Magani pati startin e ëndërruar si trajner i Tiranës, me fitoren 4-0 kundër Bylisit, një rivali direkt në luftën për mbijetesë, ndërkohë që të gjitha skuadrat e tjera barazuan, përveç Partizanit që mundi Dinamon, duke u lënë bardhebluve të shpresojnë edhe për shumë më tepër se mbijetesa. Sigurisht që një trajner që merr skuadrën në udhëtim e sipër gjatë sezonit nuk mund të ndryshojë gjithçka brenda pak ditëve ditëve dhe Tirana fituese e javës së fundit nuk mund të quhet me gjithçka skuadra e Maganit.

Megjithatë, dora e trajnerit të rikthyer te bardheblutë ishte menjëherë e dukshme. Peqinasi ndryshoi krejtësisht linjën e krahut të djathtë, me Isuf dhe Gjumsin titullarë, dhe këta të dy ishin protagonistët që ndërtuan tre nga katër golat e fitores. Gjumsi fitoi një penallti e dha dy asiste, ndërkohë që në mesfushë krijoi filtrin e duhur para mbrojtjes me dyshen Meta e Jonuzi. Java e ardhshme i rezervon një përballje, të paktën në letër, më të fortë se e para, kundër Elbasanit në Elbasan Arena.

Për fatin e tij të mirë, Magani do të ketë shumë më tepër kohë për t’u përgatitur krahasuar me ndeshjen e parë, falë ndërprerjes së kampionatit për ndeshjet e kombëtares në Nations League. Ndoshta skuadra dhe tifozët do të kishin dashur vijimin e ndeshjeve për të kalëruar fort falën e entuziazmit pas fitores së parë, megjithatë trajneri peqinas do të ketë mundësi të zbatojë pa u nxituar idetë e tij, ndërkohë që shkundja e formacionit rriti konkurrencën dhe garën brenda ekipit për vendet si titullar.

Dhe me një tjetër kombinim të favorshëm rezultatesh, gjithçka bëhet e mundur për Tiranën, pasi edhe numri i javëve të mbetura e lejon.