RTSH Sport Live

Disiplina dënon Tiranën dhe Partizanin

  • 19/05/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Disiplina dënon Tiranën dhe Partizanin
Sjellja e gabuar e spektatorëve është shoqëruar me gjoba

Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së ka marrë masa për parregullësitë e evidentuara gjatë zhvillimit të ndeshjeve të futbollit, sidomos në derbin e kryeqytetit, atë mes Tiranës dhe Partizanit ku nuk munguan problemet. Gjoba për dy skuadrat e kryeqytetit, për shkak të sjelljes së dy tifozërive përkatëse. Është pezulluar me dy ndeshje Tefik Osmani, zyrtari i Tiranës, për provokim të publikut.

Gjobat për sjellje të gabuar të tifozëve nuk kanë munguar dhe për Vllazninë apo Erzeni, ndërkohë në Kategorinë e Parë, Besëlidhja e ka humbur ndeshjen 3-0 në tavolinë për shkak se nuk u paraqit në përballjen me Korabin, si dhe i hiqen tri pikë në klasifikim.  

VENDIMET:

KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, dëmtimin e mjediseve sportive, hedhjen e sendeve në terrenin sportiv duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të lojës dhe shfaqjen e banderolave homofobike, në bazë të nenit 5 të statutit të FSHF dhe neneve 65/1, 65/3/a, 65/3/c dhe 65/3/f të KDS, dënohet me gjobë në masën 600.000 (gjashtëqind mijë) lekë. KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

Zyrtari i KF Tirana, Tofik Osmani, për provokim të publikut, në bazë të nenit 52/1 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.

FK Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, dëmtimin e mjediseve sportive dhe hedhjen e sendeve në terrenin sportiv duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të lojës, në bazë të neneve 65/2, 65/3/a, 65/3/c dhe 65/3/f të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë. FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

FK Erzeni, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të nenit 65/1 dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të nenit 65/1 dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

KF Besëlidhja, për mosparaqitje të ekipit në ndeshjen “KF Korabi-KF Besëlidhja“ në bazë të nenit 54/1 të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe zbritjen e 3 (tre) pikëve nga klasifikimi.

Lojtari i KSSH Veleçiku, Klaudio Marku, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.