RTSH Sport Live

Egnatia dhe Laçi, paqe në Rrogozhinë

  • 26/01/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Egnatia dhe Laçi, paqe në Rrogozhinë
Mbyllet 1-1 dueli i parë i çiftit çerekfinal, gjithçka e hapur për ndeshjen e kthimit

Mesjava rikthen Kupën e Shqipërisë në fushën e blertë, teksa veprimtaria e dytë e futbollit në vend ka mbërritur në fazën e çerekfinaleve. Ndryshe nga sezoni i shkuar, këtë sezon kjo veprimtari rikthehet në formulën e përballjeve me sistem  vajtje-ardhje dhe të mërkurën pasdite janë luajtur takimet e para të dy prej çifteve të para. Skuadra rrogozhinase erdhi në këtë takim pas barazimit ndaj Vllaznisë, ndërsa kurbinasit pas fitores kundër Teutës në kampionat.

Në duelin e zhvilluar në stadiumin “Arena Egnatia”, sfida midis skuadrës vendase dhe Laçit i ka mbyllur në barazim 1-1 45 minutat e para. Pas vetëm 13 minutash lojë, skuadra e Laçit ka pretenduar për një prekje të kundërshtarit me dorë dhe, pas konsultimit për disa minuta me dhomën e Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), kryesori Klodian Shahini ka dhënë 11-metërsh për Laçin. Julian Shehu ruan gjakftohtësinë dhe realizon nga pika e bardhë, duke i kaluar miqtë në epërsi.

Një epërsi që sidoqoftë zgjat vetëm pak minuta, pasi, në të 22-tën, pas disa kombinimeve skuadra rrogozhinase ka shënuar me Demir Imerit, i cili u tregua i saktë, duke realizuar golin e barazimit. Edhe pse Egnatia proteston dhe pretendon për 11-metërsh në minutën e fundit, kur kapiteni i kurbinasve, Ignjatoviç,  prek topin me dorë në zonë, por, për kryesorin Shahini nuk është 11-metërsh, mbyllet në barazim 1-1 pjesa e parë.

Ajo e dyta shikon një lojë të barabartë dhe të vakët dhe vetëm 12 minuta para fundit të kohës së rregullt, është Lushkja që rrezikon me një goditje nga larg, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës. Përtej përpjekjeve të të dyja skuadrave mbyllet në barazim 1-1 kjo përballje dhe gjithçka është e hapur për ndeshjen e kthimit.