Ejprëll Ros dhe Aleks Klineman. Janë këto dy mbretëreshat e volejbollit të plazhit në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Medalje e 30-të të artë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë marrë këto dy lojtare, të cilat në turneun olimpik të volejbollit në plazh, zhvilluar në Shiokaze Park, janë absolute. Shtatë ndeshje dhe shtatë fitore, me një setavarazh për t’u patur zili, 14-1. Në finale kanë mundur pastër 2-0 çiftin australian Del Solar/Kleizi.
21-15 dhe 21-16 dhe në harkun kohor të 43 minutave janë ato fituesit e medaljeve të arta, sepse nuk kish si ndodhte ndryshe, ndërsa Ejprëll Ros merr medaljen e saj të tretë në karrierë në pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike. E argjendtë në Londër 2012, e bronztë në Rio de Zhaneiro 2016 dhe tani e artë në Tokio. Kurse për Aleks Klineman kjo ishte medalja e parë në pjesëmarrjet në Lojërat Olimpike. Medaljet e bronzta kanë shkuar për çiftin zviceran Verxhe-Depre/Hajdrish, që në finalen e vogël të vendeve 3-4 kanë mundur letonezet Graudina/Kravçenoka 21-19 dhe 21-15.
E shtuna do të jetë për meshkujt, ndërsa për medaljet e bronzta do të luftojnë Plavins/Toks të Letonisë me çiftin nga Katari, Sherif/Ahmed. Kurse për medaljet e arta norvegjezët Mol/Sorum me rusët Klasilnikov/Stojanovski. Dhe të dyja këto finale, si të gjitha disiplinat sportive të Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, do të vijnë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.