RTSH Sport Live

Elbasani, pa llogari pikësh

  • 15/09/2024
  • |
  • Abissnet Superiore
Elbasani, pa llogari pikësh
Robert Bordin kërkon që gjërat të merren shtruar e ndaj Tiranës të luhet normalisht

AF Elbasani të hënën luan një ndeshje të rëndësishme. Bëhet fjalë për transfertën me Tiranën, ndërsa trajneri i verdhebluve, Robert Bordin, një ditë përpara kësaj sfide ka folur për gjendjen aktuale të grupit

 “Situata është e mirë. Kemi rikuperuar të gjitha energjitë pas ndeshjes me Laçin.  Ata që kanë luajtur gjithë ndeshjen dhe kanë shpenzuar më tepër energji kanë bërë stërvitje ndryshe. Dhe këto dy ditë kemi bërë përgatitjen për ndeshjen e radhës".

Por a do të ishte i kënaqur Bordin me një barazim në transfertën e vështirë të kryeqytetit? Italiani kërkon të mos bëjë llogari pikësh. Ndaj dhe deklaron:

"Ne do të shkojmë ta luajmë ndeshjen në mënyrën tonë pa bërë llogari.  Do të jetë gabim të bëjmë llogari. E dimë që është një ndeshje e rëndësishme për ne dhe për klubin dhe mbi të gjitha shumë e ndjerë nga ana e tifozerisë. Kështu që do të jetë një ndeshje e vështirë dhe me intensitet të lartë. Por jemi gati që të përballemi në të tilla kushte"

Elbasani ka një veçori, në katër javë kanë shënuar gjashtë lojtarë të ndryshëm. Pra mungon një golashënues.

"Padiskutim që është një shenjë e mirë që shënojnë të gjithë. Por është e vështirë që pas katër javësh të kesh një golashënues sepse është disi herë. Gjëja e rëndësishme është se në krijojmë shumë raste, por duhet të jemi më konkret”

E duke shpresuar që grupi, apo skuadra të arrijë ku Bordin kërkon, ndonëse është i bindur se i duhet dhënë kohë, AF Elbasani shpreson që të vazhdojë të marrë pikë edhe ndaj Tiranës të hënën në “Arenën Kombëtare”.