Vllaznia nuk është më ajo e para? Kuqeblutë kanë lënë pikë gjatë rrugës, sidomos në pesë javët e fundit, duke lejuar që kundërshtarët të afrohen. Vetëm një pikë në ndeshjen e fundit, barazim 1-1 në Korçë përballë Skënderbeut, duke i dhënë mundësinë Partizanit të ngushtojë diferencën në katër pikë.
Për të analizuar situatën e kuqebluve në këtë periudhë ka menduar Elvin Beqiri, ish futbollist i kësaj skuadre, i cili në një lidhje direkte me “Rubrika Sportive në Radio Tirana ka dhënë mendimin e tij.
Sa e kërcënuar duket Vllaznia me pikët e lëna në Korçë dhe a po fut ujë varka e kuqebluve?
“Deri tani skuadra ka bërë një ecuri të pabesueshme, duhet ti japim meritat. Përsa i përket vështirësive që mund të përballësh gjatë kampionatit, do të ndodhte edhe te Vllaznia, siç po ndodh. Ka njëfarë ngërçi në marrjen e pikëve të plota. Por tani edhe kundërshtarët e konsiderojnë ndryshe. Duhet më shumë kujdes, një motivim akoma më të madh. Ecurinë e mirë që ka bërë deti tani, të mos e hedhë poshtë në javët në vazhdim. Çdo hap i gabuar në vazhdim, do të jetë në favor të kundërshtarit”.
Po ndjekësit si i vlerësoni dhe a e shikon Partizanin një skuadër që mund të jetë për titull?
“Jo vetëm Partizani, por ka edhe ekipe të tjera që janë paraqitur mirë deri tani si Laçi apo Teuta, që janë rivale kryesore për titullin kampion. Mendoj se këto tre ekipe do të jenë rivale të Vllaznisë deri në fund të kampionatit. Në merkato, skuadrat janë përforcuar shumë, sidomos Partizani. Vllaznia duhet të marrë maksimumin në çdo ndeshje, që të ketë një distancë, një siguri, deri në fund të kampionatit”.
Po zona e Europës a është ndarë tashmë në bazë të pikëve që kanë skuadrat aktualisht?
“Është shpejt për të folur për Europën sepse, përveç skuadrave që pretendojnë për titull kampion, janë dhe Tirana e Kukësi që pretendojnë zonën e Europës. Kampionati është i tillë që çdo gjë mund të ndodhë, ka akoma shumë ndeshje. Kështu që mendoj se është akoma shpejt për të evidentuar ekipet që mund të marrin pjesë”.
A ka forca kjo Vllazni për të mbajtur këtë ritëm?
“Përderi sa ka mbërritur deri në këtë pikë, si rezultat i një fryme të mirë që ka pas grupi i këtyre lojtarëve, mund të bëjnë përsëri mirë, ashtu siç kanë bërë deri tani. Sigurisht që ka patur problem me pjesën jo të plotë të grupit, nga dëmtimet apo kartonat, por i ka mundësitë për të marrë rezultate. Në fillim Vllaznia nuk ka patur si objektiv titullin, por mundësitë i ka që të jetë mes tre ekipeve të para në fund të kampionatit”.