RTSH Sport Live

Erzeni fundos Teutën

  • 14/11/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Erzeni fundos Teutën
Shijakasit kanë arritur të marrin një fitore 2-1 përballë durrsakëve

Në “Arena Egnatia”, në ndeshjen që erdhi për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, Erzeni ka arritur të fitojë me përmbysje përballë Teutës me rezultatin 2-1, e vlefshme për javën e 12-të të “Abissnet Superiore”. Një ndeshje derbi, me shumë emocione, që u ka buzëqeshur shijakasve. Ndërkohë, durrsakët janë fundosur akoma më shumë në vendin e fundit.

Pjesa e parë ka nisur më e mirë për durrsakët, të cilët për shumë minuta kanë adminustruar lojën dhe në një moment kanë pretenduar për një 11-metërsh. Shijakasit nga ana e tyre janë rritur me kalimin e minutave dhe në fundin e fraksionit të parë kishin mundësinë më të mirë për të kaluar në avantazh. Gjithsesi, pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura.

Pjesa e dytë ka nisur me gol, janë durrsakët që gjejnë rrugën e rrjetës. Lorenco Vila ka arritur të mposhtë Xhikën, 1-0 për Teutën. Por festa e të besuarve të Shkëmbit ka zgjatur shumë pak, pasi në minutën e 54-ët është Kahrimanovic që ka vendosur barazpeshën me një gjuajtje nga distanca, 1-1.

Skuadra e drejtuar nga Xhevahir Kapllani godet përsëri dhe kësaj radhe me golin e avantazhit. Është pikërisht minuta e 69-të, moment në të cilin Nonato firmosi 2-1 pas një aksioni model, që është dhe rezultati përfundimtarë i kësaj sfide. Me këtë fitore Erzeni ngjitet në kuotën e 20 pikëve, ndërsa Teuta mbetet në vendin e fundit me 8 pikë.