RTSH Sport Live

F1, Mercedes e pohon: Makina e Red Bull, e përsosur

  • 20/03/2021
  • |
  • Formula 1
F1, Mercedes e pohon: Makina e Red Bull, e përsosur
Skuadra gjermane pranon të metat pas testeve parasezonale në Bahrein

“Mercedes”-i e ka pranuar se rivalja e saj kryesore, “Red Bull”-i, ka një makinë më të mirë teksa pak ditë na ndajnë nga nisja e sezonit të ri të Formulës 1. Gara e parë e sezonit të ri, që do të zhvillohet në Bahrein në fundjavën e 26-28 marsit, do të sillet për sportdashësit, sikundër edhe për 3 sezonet e ardhshme,  drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.

Tashmë jemi mësuar ta shohim “Mercedes”-in të pranojë inferioritetin kundrejt një rivali në testet parasezonale, por duke vijuar të kthehet fuqishëm që në garën e parë dhe dëshmi për këtë janë 7 titujt “kampion” i botës për konstruktorënë 7 sezonet e fundit.

Por, pasi “Red Bull”-i mbizotëroi në testet parasezonale të  2021-shit në Bahrein, ndërsa “Mercedes”-i vuajti dukshëm, “Shigjetat e argjendta” duken seriozisht të shqetësuara që rivalët e tyre janë me të vërtetë më përpara në prag të këtij sezoni.

Makinat e “Red Bull”-it, të mbiquajtura “RB16B” ishin thuajse të përsosura dhe pa defekte në Bahrein, ndërsa “Mercedes”-i jo vetëm vuajti defekte teknike dhe vonesa, teksa Valteri Botas bëri vetëm 6 xhiro në seancën e mëngjesit, për shkak të një problemi me kutinë e marsheve, por makina e saj “W12” dukej e vështirë për t’u pilotuar, me Ljuis Hemiltonin të cilit iu rrotullua disa herë makina në pistë dhe pilotin finlandez që gjithashtu vuajti.

 Dhe duke folur pas testeve, si Drejtori Inxhinierik i Pistës, Endrju Shovlin, ashtu edhe Drejtori i Strategjisë së Motorsporteve, Xhejms Vaules, pohuan mangësitë që ka makina. “Ishte e dukshme që makina jonë vuante sa i përket kontrollit, ndërsa përkundër kësaj, makina e “Red Bull”-it, ishte thuajse e përsosur, - tha Vaulesi. - Ishte shumë e qëndrueshme, veçanërisht në sektorin e fundit të pistës”.

“Kjo vërehej lehtë nga jashtë dhe kohët e regjistruara e vërtetuan një gjë të tillë. Po kështu, nuk mund ta fshehim se nuk kemi një përgjigje të qartë për këtë gjendje, por do të reagojmë, edhe pse koha nuk na premton.”

Tanimë, fjalën e ka gara e parë e sezonit të ri, që do të zhvillohet në Bahrein në fundjavën e 26-28 marsit dhe që, sikundër për 3 sezonet e ardhshme, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.