RTSH Sport Live

F1, Mick Schumacher: Jam gati, podiumi do të ishte një ëndërr

  • 18/02/2021
  • |
  • Formula 1
F1, Mick Schumacher: Jam gati, podiumi do të ishte një ëndërr
Piloti gjerman foli për Kampionatit Botëror, në të cilin do të bëjë debutimin e tij me Haas

“Pavarësisht se kam një përvojë të mjaftueshme në kategoritë e tjera, asgjë nuk është si Formula 1. Do të jetë e veçantë. Përmes Zoom, ekipi im dhe unë po bëjmë shumë komunikime, me qëllim që të mund të përgatitem në mënyrën më të mirë të mundshme, por garat duhet të jetohen për tu kuptuar. Ti mëson vetëm duke garuar”.

Mick Schumacher po përgatitet për Kampionatin Botëror të Formula 1 të vitit 2021, në të cilin do të bëjë debutimin e tij në njëvendëshen e Haas. Piloti gjerman, i intervistuar nga "Auto, Motor und Sport", tashmë është në gjendje të shkëlqyer për fillimin: “Në një shkallë nga 1 në 10 jam gati 9. Ne kemi akoma disa javë në të cilat mund të përmirësohem. Jam gati, mezi pres të nisemi”.

“Nëse na jepet mundësia dhe kemi pak fat, ne do të bëjmë gjithçka për të përfituar dhe për të sjellë në shtëpi rezultate të mira - vazhdoi Schumacher, i cili fitoi Kampionatin Botëror të pilotëve të Formula 2 vitin e kaluar -. Dhe nëse do ketë disa gara të çmendura si vitin e kaluar, mbase do të ketë gjithashtu një shans për tu ngjitur në podium. Sigurisht, do të ishte një ëndërr, por ne duhet të jemi në gjendje të ëndërrojmë".