RTSH Sport Live

Ferrari i gëzohet fitores me Sainz

  • 04/07/2022
  • |
  • Formula 1
Ferrari i gëzohet fitores me Sainz
Por sakrifikon Leclerc, pilotin që po lufton për titullin botëror

Ferrari buzëqesh, por vetëm përgjysmë. Në Silverstone ishte e nevojshme t’u jepej një përgjigje e fortë kundërshtarëve dhe kjo padyshim ka ardhur. Carlos Sainz arrin fitoren e parë në karrierë, duke lënë pas dy pilotë që bënë një garë të madhe, për t’u admiruar Perezin dhe Hamiltonin. Spanjolli i gëzohet fitores që e kishte ëndërruar që në moshë të vogël, por sigurisht që nuk është ai përgjegjës për menaxhimin e garës nga ana e skuadrës. Fytyra rrezatuese dhe e shndritshme e Sainzit nuk përputhet aspak me atë të Charles Lecler tepër të zhgënjyer, në fund të garës.

Piloti nga Monako e pagoi vetëm me një vend të katërt zgjedhjen e diskutueshme strategjike të drejtuesve të Ferrarit për të mos e ndalur atë në bokse, duke u justifikuar me mungesën e një diferencë të sigurtë për të bërë një ndalesë me të dyja makinat. U vendos, siç kishte ndodhur në Monte Carlo, të mbrohej gara e Sainz-it dhe jo pilotit që aktualisht po lufton për kampionatin botëror kundër Verstappen-it. Ndërkohë që holandezi, për shkak të disa problemeve me makinën, përfundoi vetëm i shtati.

Dhe pikërisht për këtë, ndjenja e humbjes së një mundësie të madhe dhe të çmuar dëm dhemb edhe më shumë dhe duhet t’i bëjë të reflektojnë te Ferrari. E megjithatë, Leclerc vazhdon të ruajë gjakftohtësinë dhe të mos fajësojë askënd. Ndërsa Binotto është munduar të justifikohet me pilotin e tij në fund të garës.

Aktualisht Ferrari i konsideron të dy pilotët e tij si të barabartë. Por se sa e dobishme do të jetë kjo në këtë botëror të Formula 1, do të shihet në nëntor, kur ata do të përballen me një pendim apo do të triumfojnë. Dhe për drejtuesit e Ferrarit do të ishte një gabim i pafalshëm, nëse kjo zgjidhje nuk do t’i çonte në realizimin e pretendimeve që ata kanë.