Me prezencën e personaliteteve të njohur në fushën e futbollit, trajnerë të moshave dhe me prezencën e më shumë se 400 fëmijëve, Durrësi është kthyer këtë javë në një kamping të vogël për moshat. Një projekt ambicioz i Ministrisë së Arsimit e Sportit, po ravijëzon edhe më shumë nismën e qeverisë dhe klubit mitik Manchester City ndërsa pranimet e reja do të shoqërohen me bursa.
Fillimi i aplikimeve në Dyrrah City Football Academy ka zgjeruar hartën e atyre që duan të jenë pjesë e agjencisë së inspiruar nga Citizens në Britaninë e Madhe. Me një mundësi të jashtëzakonshme për fëmijët dhe të rinjtë e talentuar, të apasionuar për futbollin, procesi i seleksionimit për regjistrimin e futbollistëve të rinj po ecën me ritme optimale. Në takimin e fundit me drejtuesit e Manchester City në “Etihad Stadium”, u avancuan planet për të nxjerrë talentet tona në vitrinën kontinentale.
Në një muaj të nxehtë që do kulmojë me kombëtaren në finalet e Euro 2024 në përballje epike ndaj Italisë, Kroacisë e Spanjës, po shtohet gama e gjerë e aplikimeve edhe te Dyrrah City, me trajnerë nga Spanja, Italia e Suedia, për të qenë pjesë e Akademisë që starton në Shtator. Akademia pranon fëmijë e të rinj të moshës nga 7 deri në 18 vjeç. Pritet që shumë shpejt me mbylljen e fazës së parë të punimeve, stërvitja të zhvendoset në kompleksin që do të ndërtohet në Durrës.