RTSH Sport Live

Fetel: Shumë gara ulin vlerën

  • 16/10/2021
  • |
  • Formula 1
Fetel: Shumë gara ulin vlerën
Piloti gjerman kritikon zgjerimin e kalendarit për vitin 2022

Formula 1 rrezikon të humbasë vlerën e saj, por edhe Çmimet e Mëdha të saj do të rreshtin së qeni ngjarje të veçanta nëse kalendari vazhdon të zgjerohet, paralajmëron Sebastian Fetel. Konfirmimi i kalendarit të Formulës 1 për vitit 2022 nënkupton se ky sporti po shkon drejt sezonit të tij më të madh ndonjëherë, teksa vitin e ardhshëm do të mbahen plot 23 gara, të shtrira nga mesi i marsit, deri në mesin e nëntorit. Stresi dhe tendosja që po i shkakton kalendari i ngjeshur stafit tashmë është theksuar nga disa skuadra, por ato kanë vijuar sidoqoftë ta miratojnë këtë kalendar të Formulës  1 për vitin 2022. Por për Fetelin, i cili hyri në botën e Formulës 1 në një epokë ku kishte më pak gara, por më shumë teste, mendon ka është negative për sportin të shtosh gjithnjë e më shumë gara në kalendar.

 "Ky është vetëm mendimi im dhe nuk vlen asgjë, por unë mendoj se ne nuk duhet të kemi kaq shumë gara”, - ka deklaruar piloti gjerman i skuadrës së “Aston Martin gjatë një interviste. “Dhe kjo është për një numër arsyesh, - ka vijuar 34-vjeçarit. - Unë mendoj se, së pari, mbase janë shumë gara për njerëzit që të shikojnë apo t’i ndjekin. Nuk është më e veçantë, nëse ka kaq shumë. Dhe e dyta, më vjen keq për stafin. Ne pilotët, ne jemi në anën e mirë të gjërave: ne mund të arrijmë të mërkurën në mbrëmje dhe të largohemi nëse gjejmë një fluturim të dielën në mbrëmje.

Por ekipi tashmë ka shumë më tepër stres. Ata mbërrijnë të hënën ose të shtunën një javë më parë, ata ndërtojnë garazhin, përgatisin makinat, dhe pastaj gjithashtu duhet të vrapojnë gjatë gjithë javës dhe pastaj të paketojnë, të dërgojnë gjithçka mbrapa dhe të përgatiten përsëri në fabrikë. Për ta është një punë që i mban të zënë gjatë gjithë ditëve të javës dhe pothuajse çdo fundjavë, kështu që nuk kanë kohë për veten e tyre. Dhe mendoj se jemi në një kohë kur njerëzit po bëhen gjithnjë e më të ndërgjegjshëm se edhe ata kanë një jetë dhe se jeta nuk i përket punëdhënësit”.

Në fakt, ngjeshja e kalendarit të Formulës 1, përfshi edhe organizimin e 3 garave radhazi, ka bërë që një pjesë e stafit të zgjedhin të shkojnë për punë në fabrikë ose të largohen plotësisht nga garat e Formulës 1. Prandaj Feteli mendon se do të ishte një gabim që Formula 1 ta gjejë veten, duke tejlodhur stafin thjesht për të zhvilluar sa më shumë gara. “Unë nuk jam përgjegjës dhe padyshim që ka interesa të tjera, por mendoj se thjesht duhet të sigurohemi që njerëzit të kenë një ekuilibër midis jetës së tyre në shtëpi dhe kohës së kaluar jashtë, - shpjegoi ai. - Unë mendoj se duhet të jenë një numër garash që është i qëndrueshëm për të mbajtur pasionin tuaj për shumë vite dhe për të mos qenë të shterruar pas dy ose 3 vjetësh.”