RTSH Sport Live

Finalja e Kupës me tifozë: FSHF, letër Ministrisë së Shëndetësisë

  • 25/05/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Finalja e Kupës me tifozë: FSHF, letër Ministrisë së Shëndetësisë
Kërkohet lejimi i tifozëve në stadium për finale e Kupës së Shqipërisë

Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet një letre, i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë të lejojë një numër të caktuar tifozësh, që të jenë të pranishëm në stadiumin “Air Albania” për të ndjekur finale e Kupës së Shqipërisë, mes Skënderbeut dhe Vllaznisë, e cila do të luhet më 31 maj.

Një letër-kërkesë, që në fakt është dërguar që në datën 22 maj, ku e gjithë përmbajta i referohet datës 30 maj, si dita e finales së Kupës. Por gjatë rrugës kanë ndodhur ndryshime, finalja është zhvendosur në datën 31maj, gjë të cilën e ka konfirmuar vetë FSHF.

“Duke marrë shkas nga eksperienca e vendeve të tjera të Europës, ku finalet e Kupës po zhvillohen me praninë e tifozëve, nisur dhe nga numri në rënie i infektimeve me Covid-19, si pasoj e vaksinimit masiv të popullsisë nga ana e MSHMS, ju drejtohemi me këtë kërkesë për lejimin e një numri të arsyeshëm tifozësh në ndeshjen e datës 30 maj 2021(në fakt finalja është në datën 31 maj), ora 19:00 në stadiumin Air Albania”, thuhet ndër të tjera në shkresën e FSHF-së drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë.

Shqipëria ende nuk ka guxuar të hedhë hapin e parë drejt rikthimit në normalitet në futboll. Përpjekjet nuk kanë munguar, siç ishte rasti i ndeshjes me Anglinë, por organet përkatëse e panë të arsyeshme që të vazhdohej me rregullat e vendosura më parë, pa praninë e tifozëve.