Fitore nervash ajo e Skënderbeut në shtëpi përballë Partizanit, 1-0, me golin e shënuar nga Liço nga pika e penalltisë, takim i vlefshëm për javën e 25-të të Superiores. Korçarët treguan një lojë të mirë në pjesën e parë duke krijuar raste, deri sa arritën të gjejnë rrugën e rrjetës në minutën e 38-të nga pika e penalltisë. Ishte Sembene ai që ndali topin me dorë brenda zonës pas një harkimi të Rashicës dhe Liço nga pika e bardhë u tregua i saktë.
Të kuqtë kërkuan me të gjitha mënyrat golin e barazimit në një sfidë që kishte dhe nota tensioni, ku të dyja skuadrat e mbyllën sfidën me nga 10 lojtarë, por nuk ia dolën. Janaqi dhe Rrapaj u ndëshkuan me të kuqe pas përplasjes mes tyre. Madje dhe në mbyllje të sfidës nuk ka munguar tensioni mes lojtarëve të të dy skuadrave.
Me këtë fitore, korçarët futen në grupin e skuadrave që pretendojnë një vend në “Final Four”, ndërsa të kuqtë tregojnë edhe njëherë luhatjet e tyre e tashmë rrezikojnë dhe vendin e dytë.